Të martën më 15 qershor do të mbahet takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Zëdhënësi për Politikë të Jashtme i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media ka konfirmuar se takimi i nivelit të lartë, Kurti-Vuçiq do të mbahet më 15 qershor në Bruksel.
“Mund të njoftoj se raundi tjetër i dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja do të mbahet të martën e ardhshme më 15 qershor, ku do të takohen presidenti Aleksander Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti. Këto takime do të ndërmjetësohen nga kryediplomati Josep Borell dhe Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak”, ka thënë Stano.
Ajo çfarë pritet t’i “përplas” Kurtin dhe Vuçiqin është marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e cila është nënshkruar në vitin 2013, për të cilën kryeministri Kurti dha sinjale të qarta se nuk do të mund të themelohet.
“Nuk mund të ketë asociacion njëetnik në Kosovë dhe se është i domosdoshëm integrimi i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik”, ka thënë ai para pak ditësh.
Por, BE-ja pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet për të cilat është arritur pajtim.
“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij presin nga të dyja palët një përkushim të vazhduar për t’u angazhuar në këtë dialog dhe për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet. Kjo nënkupton që gjithçka për të cilën është arritur pajtim duhet të zbatohet. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj presin që institucionet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ta kapin mundësinë për ta dërguar këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm”, tha zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.
E para takimit, Vuçiq ka deklaruar se Kurti nuk ka se për çfarë të shkojë në Bruksel nëse nuk diskutohet Asociacioni.
“Nëse Kurti thotë se nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë”, ka deklaruar Vuçiq.
“Takimi i elefantëve” në kryeqytetin evropian pritet të përcaktojë nëse negociatat një dekadëshe mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë ose do të ngecin.