Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë qëndruar në Prizren, ku kanë inspektuar pesë furra private.
Ferki Fejza, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Metrologjisë, tregoi se qëllimi i aktiviteteve të mbikëqyrjes metrologjike ka qenë mbikëqyrja e zbatueshmërisë së ligjit në disa furra buke, raporton Ekonomia Online.
“Agjensioni i Metrologjisë së Kosovës ka zhvilluar aktivitete të mbikëqyrjes metrologjike. Qëllimi i këtyre aktiviteteve ka qenë të mbikëqyrim aspektin e zbatueshmërisë të ligjit në suaza të metrologjisë ku kemi fillu me mbikëqyrjen të prodhimeve të drithërave në furrat e bukës në rajonin e Prizrenit. Kemi vazhdu me mbikëqyrjen metrologjike të produkteve të importit në supermarkete mbështetur nga Inspektorati i tregut, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”.
Lulzim Syla, kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Tregtisë, ka treguar se kanë inspektuar pesë furra me qëllimin që të shohin nëse konsumatorëve po u shitet masa e bukës ashtu siç shitësit deklarohen, raporton EO.
“Kemi bërë inspektimin në pesë furra të ndryshme dhe qëllimi ka qenë të krahasojmë atë që shënon, a është 500 gr, a po shitet 500 gr. Qëllimi ka qenë të mbrohet konsumatori. Në këto pesë vizita kanë rezultuar se të gjitha e respektojnë ligjin dhe janë brenda parametrave”.
Ai bëri të ditur se janë marrë masa ndaj një operatori ekonomik për shkak se nuk e ka pasur të vendosur deklaracionin.
“Ne kemi qëndru edhe te një operator ekonomik, i cili merret me shitjen e bukës, ku nuk ka pasur të vendosur deklaracionin dhe janë marrë masa ndaj atij subjekti. Inspektorati i MTI-së dhe inspektoratet komunale janë duke e bërë punën e vet dhe jemi duke zbatuar urdhrin e ministrit Shala. Kemi shikuar edhe a ka me mbishkrime Kosovë e Metohia, ku siç po shihet i kanë tërhekë të gjitha mallrat. Ne do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim, në qytetet e tjera, ku do të jemi prezent 24 orë ta mbrojmë konsumatorin”.
“Mbikëqyrja ka nis të bëhet 100 për qind për çdo mall i cili hyn nga Serbia, që vendimi i qeverisë të zbatohet në përpikëri”.
MTI ka njoftuar se ky aktivitet do të vazhdojë edhe ditët e ardhshme, ku do të bëhet mbikëqyrja metrologjike dhe ajo e deklinacionit të të gjitha produkteve nëpër pikat shitëse.