Zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi, Bersan Kolgeci dhe Haki Ejupi, të dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kërkuan nga Gjykata e Apelit që të lirohen nga akuza.
Zyrtarët e AKPPM-së të dënuar për korrupsion kërkojnë nga Apeli të lirohen nga akuza
Zyrtarët e Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi, Bersan Kolgeci dhe Haki Ejupi, të dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kërkuan nga Gjykata e Apelit që të lirohen nga akuza.
Kërkesën e njëjtë për Apelin e ka bërë edhe biznesmeni Edon Hajrullaga, i dënuar nga shkalla e parë për veprën penale “prodhim i ndaluar”.
Këto kërkesa, të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre, i kanë paraqitur në seancën e së hënës në Gjykatën e Apelit, ku po shqyrtohen ankesat e tyre si dhe ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 13 qershor të këtij viti, Ilir Dushin dhe Bersan Kolgecin, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim, ndërsa Haki Ejupin, për veprën e njëjtë i kishte shqiptuar dënim prej 5 muaj burg.
Të akuzuarit të katërt në këtë rast, pronarit të kompanisë “Prima Pharm”, Edon Hajrullaga i ishte shqiptuar dënimi me gjobë prej 10.000 euro.
Mbrojtësi i të akuzuarit Bersan Kolgeci, avokati Muhamet Shala, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, tha se Gjykata Themelore në Prishtinë në asnjë pikëpamje nuk ka arritur ta arsyetojë aktgjykimin e shqiptuar ndaj të mbrojturit të tij.
“Klienti im, në cilësinë e drejtorit të Departamentit Ligjor si dhe si jurist që është, ka pasur obligim ligjor të lëshojë rekomandime, mirëpo në asnjë moment nuk ka pasur cilësinë e organit vendimmarrës. Andaj fakti që akuzohet për një gjë të tillë për mua është i paarsyeshëm”, tha Shala.
Sipas avokatit Shala, i akuzuari Kolgeci ka lëshuar rekomandime që banderolat vetëm të përgatiten dhe jo edhe të lëshohen në treg.
Duke u bazuar në këto fakte dhe rrethana, Shala tha se pret nga kolegji i Apelit që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Dushi, avokati Nikë Shala, kërkoi nga Apeli që ta refuzojë ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ashpërsim të dënimit për të akuzuarit.
Gjithashtu, Shala tha se për kohën në të cilën bëhet fjalë në aktakuzë, i mbrojturi i tij ka qenë në pushim, andaj nuk ka mundur që të lëshojë asnjë rekomandim apo të jep ndonjë nënshkrim për rastin në fjalë.
Shala po ashtu tha se është e pakuptimtë për të se si gjykata e shkallës së parë e ka marr si kredibil dëshmitarin Sejdi Tolaj, për të cilin tha se ka qenë më herët i pandehur në këtë çështje penale.
“Nga viti 1991 jam avokat dhe e them me bindje të plotë se ky është rasti më politik që kam parë”, përfundoi fjalën e tij, avokati Nikë Shala.
Edhe mbrojtësi i Haki Ejupit, avokati Osman Havolli, kërkoi nga kolegji i Apelit që ta lirojë nga akuza të mbrojturin e tij si dhe të refuzojë ankesën e prokurorisë.
Sipas Havollit, shkalla e parë ka dështuar të tregojë se kush ka pësuar dëm në këtë rast apo se kush ka përfituar, andaj sipas tij, nuk ka as elemente të veprës penale në këtë aktakuzë.
Kurse, Skënder Musa, avokati i të akuzuarit Edon Hajrullaga, tha se i gjithë ky rast është montim që si qëllim ka pasur shkarkimin e Ilir Dushit nga pozita e tij.
Ndër të tjera, Musa tha se aktgjykimi i shkallës së parë thotë se rekomandimi i cekur në aktakuzë është nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme edhe pse ky rekomandim sipas Musës është nxjerrë sipas udhëzimit administrativ 13/2007 pika 3.4 dhe nuk ka asgjë të kundërligjshme në të.
“A mund të dënohet dikush që se ka zbatuar një ligj, që s’ka qenë fare në fuqi. Udhëzimi administrativ për praktikën e mirë të prodhimit ka hyrë në fuqi më 14.08.2013, pra nja një muaj apo dy, pasi që është ngrit aktakuza”, deklaroi avokati Musa.
Ky gjykim ishte zhvilluar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e krye shefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Kjo vepër, sipas kësaj aktakuze, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast për operatorin ekonomik “Prima Pharm”.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori ka lëshuar një rekomandim më 7 gusht 2013, me të cilin ka rekomanduar drejtorin e Administratës që t’i bëjë përgatitjet dhe t’i lëshohen “Prima Pharm-it”, banderolat për barna.
Këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435.124 banderola, për 18 produkte medicinale. Kështu këtij subjekti, i është lejuar që barnat e importuara nga Kina në mars të vitit 2013, t’i plasojë në treg, edhe pse sipas këtij akti akuzues ky rekomandim nuk është dashur që t’i lëshohet.
Arsyeja për mos lëshimin e këtij rekomandimi për “Prima Pharm” ishte mungesa e certifikatës së Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP)./Betimiperdrejtesi/