Bajram Gecaj, zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shkruar se s’po i kupton njerëzit e Vetëvendosjes që po shajnë dhe në të njëjtën kohë po kërkojnë koalicion me Partinë e Isa Mustafës.
“Sinqerisht kam problem serioze me të kuptuarit: edhe të shanë dhe të kërkon bashkëpunim! 😳”, ka shkruar Gecaj, duke e publikuar statusin e kandidatit të Vetëvendosjes, Avni Zogianit, i cili akuzoi LDK’së si parti e korruptuar.
Sot është raportuar se ish-kandidati për deputet i VV’së, Avni Zogiani, ka lëshuar akuza në drejtim të Partisë së Isa Mustafës, duke thënë se LDK është lazdruar pasi shoqëria provoi të amnistonte nga korrupsioni që ka bërë me partitë tjera.
“LDK-ja u lazdrue qysh kur ne si shoqni provuem me e mbylle njenin sy per korrupsionin e saj te perbashket me partite tjera, dhe deshtem me besue se eshte parti e ndryshimit!”, ka shkruar Zogiani.
Ky reagim i zyrtarit të VV’së ka ardhur në kohën kur Albin Kurti dhe Isa Mustafa po dështojnë të ndërtojnë një marrëveshje për bashkëqeverisje.
Edhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Ali Lajçi ka vendosur të kërkojë përgjegjësi nga dy partitë fituese pse s’po bëjnë koalicion për ndërtimin e Qeverisë së re. Ka thënë se është papërgjegjësi nëse vonohet edhe më shumë arritja e një marrëveshje për bashkëqeverisje.
“Po, është një lloj vakumi dhe papërgjegjësie. Duhet të nguten dhe të bëhet koalicioni. Duhet të ruhet besimi i fituar nga qytetarë”, ka thënë Lajçi, në një bisedë për Express.
Kanë kaluar 3 muaj e tre ditë prej kur janë mbajtur zgjedhjet ku është ditur fituesi. Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje para gjashtë muajsh. Më shumë se dy javë kanë kaluar prej se është konstituuar Parlaemnti. Albin Kurti ka nominuar ministrat e VV’së për Qeverinë e re por ka refuzuar të marrë mandatin nga Hashim Thaçi për të ndërtuar Qeverinë e re brenda 15 ditësh.
Megjithëse, vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore, Albin Kurti dhe zyrtarët e LDK’së kishin thënë se “koalicioni i shpresës” do të ndërtohej brenda pak orësh pasi të përfundonte procesi zgjedhor.
Në takimin e tretë këtë vit, VV e LDK dështuan të ndajnë pozitat në Qeveri, Parlament e Presidencë.
LDK po kërkon të kthehet te oferta fillestare, duke kërkuar pesë ministri, Kryeparlamentarin dh zotimin për President. VV ka shprehur gatishmëri t’i japë LDK’së një ministri më shumë por jo edhe pozitën e Shefit të Parlamentit.
Albin Kurti doli fitues në zgjedhjet e fundit nacionale duke i fituar 29 deputetë. Një më shumë se Lidhja Demokratike Kosovës, e cila s’ka arritur të fitojë prej vitit 2004.
Kurti ka pasur raporte të këqija me LDK’në dhe ka pasur akuza të rënda për Isa Mustafën sa ishte Shef i Prishtinës, duke i dërguar edhe dhjetëra dosje penale në Prokurori.
Raportet ishin përkeqësuar ndërmjet LDK’së e VV’së kur në krye të Qeverisë erdhi Isa Mustafa, ndaj të cilit kishin organizuar protesta e sulme edhe para shtëpisë së tij në Prishtinë e Prapashticë. Liderin e LDK ‘së e kishin akuzuar për argat të Serbisë.
Në dy vitet e fundit, VV e LDK kishin ndërtuar bashkëpunim opozitar. Por, kishin dështuar të bënin koalicion parazgjedhor, pasi secila parti synonte të dilte e para.
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, VV e LDK kishin premtuar se do të ndërtonin koalicionin e shpresës për t’i zbatuar premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale për përmirësimin e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë e sundimin e ligjit.