Kandidati i LVV-së për deputet, Hysamedin Feraj ka thënë se ambasadorët e vendeve mike të Kosovës nuk janë përzier në zgjedhjet e djeshme parlamentare, ndërsa i ka falënderuar ndërkombëtarët, që sipas tij, “me heshtjen e tyre folën zëshëm”.
Feraj ka thënë se tash nuk ka pasur nevojë që ndërkombëtarët t’u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos i votojnë të korruptuarit.
“Kësaj here ambasadorët e vendeve mike nuk u përzien “në punët e brendshme”, nuk mbajtën anë në zgjedhje, sepse zgjedhësit ishin tashmë në anën e duhur. Tani nuk ishte e nevojshme të thërrasin qytetarët për të mos i votuar të korruptuarit.LVV ia lehtëson punën kujtëdo që të mbetet korrekt me ndërgjegjen dhe funksionin e vet. Falenderojmë miqtë ndërkombëtarë që me heshtjen e tyre folën zëshëm”, ka shkruar Feraj.
Nga mbi 99% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin në rezultatin e zgjedhjeve me 47,90% të votave. Pas saj renditet PDK-ja me 17,37% dhe LDK-ja me 13.07%. AAK-ja renditet e katërta me 7,38% të votave, ndërsa Nisma është nën prag me 2,58%