Ka ndryshuar zyrtarisht rezultati për kryetar të Komunës së Istogut.
Tani, Haki Rugova është duke udhëhequr në garën për kryetar të Komunës së Istogut.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur për KTV-në se nga rezultatet e verifikuara të rivotimit në Istog, kandidati i LDK-së Haki Rugova, prin 75 vota më shumë se sa kandidati i AAK-së Gani Dreshaj.
Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve Burim Ahmetaj, ka thënë se numërimi i votave me kusht, atyre të personave me nevoja të veçanta dhe votave me postë do të nisë sot rreth orës 15:00.
Janë gjithsej 415 vota me kusht, 68 vota të personave me nevoja të veçanta dhe 28 vota me postë. Kandidati i LDK-së Haki Rugova, ka marrë 9 mijë 901 vota, ndërsa kandidati i AAK-së Gani Dreshaj, 9 mijë 826 vota.
Për shkak të dallimit të ngushtë në vota, numërimi i këtyre votave me kusht, postë dhe personave me nevoja të veçanta, do të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve për kryetar të Istogut.