Zyrtarja e OKB-së kërkon që sistemi ushqimor në Kosovë të jetë sa me gjithëpërfshirës

Prishtinë | 13 Kor 2021 | 11:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në partneritet me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka organizuar dialogun për sisteme ushqimore në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Nga ky dialog u tha se duhet të krijohet një sistem i cili duhet të jetë më gjithëpërfshirës në sigurinë e ushqimit, por që transformimi i tij po shihet si i vështirë.

Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv në INDEP, tha se mbesin të përkushtuar në zvogëlimin e ndotjes, promovimit të ushqimit të bollshëm dhe cilësor për të gjithë, dhe zvogëlimit të pabarazive.

“Përkushtimi i INDEP për të promovuar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (SDG) ka qenë pikërisht në drejtim të zvogëlimit të ndotjes, promovimit të ushqimit të bollshëm dhe cilësor për të gjithë dhe zvogëlimit të pabarazive”.

Dardan Abazi nga INDEP, tha se një debat i këtij lloji ka munguar në vend, derisa shtoi se jemi mbërthyer me tema politike.

“Ky është diskutimi i parë që Kosova e ndërmerr në përpjekje për siguri të ushqimit. Ky dialog është i rëndësishëm për të nisur një debat që ka munguar në Kosovë pasi që jemi mbërthyer me tema politike”.

Ndërsa Imri Demelezi, zëvendësministër i Bujqësisë, tha se Kosova ka potencial dhe kushte të mira natyrore për të shtyrë këto procese përpara.

“Jo të gjithë e dinë cilësinë e ushqimit, këtë që e konsumojnë, apo pasojat dhe benefitet që krijohen. Kemi potencial të jashtëzakonshëm dhe cilësor, kushte të mira klimatike”.

“Përmes kësaj do të sigurohemi të kemi një sistem ku fermerët e vegjël dhe bizneset të jenë të fuqizuara, por transformimi i sistemit ushqimor është vërtet detyrë e vështirë. Rëndësia e kësaj teme është e drejtuar drejt veprimeve”.

“Ne nuk duhet të pranojmë një sistem të tillë përderisa kemi potencial të madh (tokë cilësore dhe kushte agro-klimatike) dhe njerëz që janë të gatshëm të punojnë. Krijimi i një zinxhiri efikas të furnizimit me ushqim dhe një sistem i besueshëm ushqimor midis konsumatorëve dhe prodhuesve, si dhe zvogëlimi i hendekut për të siguruar ushqim të shëndetshëm për grupet e margjinalizuara është shumë e rëndësishme për të ardhmen e shoqërisë tonë”, ka thënë me këtë rast zv.ministri Demelezi.

Koordinatorja e OKB-së për zhvillim në Kosovë, Ulrika Richardson kërkoi që sistemet ushqimore të jenë sa më gjithëpërfshirëse.

“… sistemet ushqimore duhet të jenë më gjithëpërfshirëse. Kemi pasur një diskutim se çfarë të bëjmë me mbeturinat e ushqimeve. Duhet t’i qasemi ushqimeve të shëndetshme”.

“Nëse futemi në Afrikë në Sahar kemi të bëjmë me obezitetin për shkak të ushqimeve që ata konsumojnë, dhe industria e ushqimit duhet të shikohet me kujdes. Varfëria është rritur për shkak të Covidit, por ende nuk e dimë ndikimin që e ka pasur në Kosovë”.

Edhe Robert Van Oterdijk, zyrtar i agro-industrisë në Evropën Qendrore, po e sheh të nevojshëm rishikimin e tërë sistemit ushqimor, raporton EO.

“Sistemi i ushqimit është i rëndësishëm. Për të pasur një veprim efektiv në fushën e furnizimit të ushqimit është esenciale të shikohet i gjithë sistemi. Në thelb të sistemit ushqimor është qëllimi që me siguruar ushqim për të gjithë”.

Të ngjashme