Pas intervistës së parë publike të kryetarit të Vetëvendosjes Visar Ymeri bërë mbrëmë që nga përplasjet brenda këtij subjekti politik, tashmë kanë filluar ankesat ndaj deklaratave që i bëri kreu i VV-së.
Anëtarja e kësaj organizate, Hatixhe-Latifi Pupovci përmes rrjetit social Facebook ka kërkuar haptazi që Ymeri, të jap dorëheqje.
“Visar ke përgjegjësi për këtë që po ndodh në Lëvizje. Jep Dorëheqje”, shkruan ajo.
Kjo deklaratë e saj vjen, pasi Visar Ymeri në intervistën e tij mbrëmë në Rubikon të KTV’së dukshëm u pozicionua kundër ish- liderit të VV-së, Albin Kurti.
Ymeri mbrëmë paralajmëroi se “asnjëri nga individët nuk duhet ta shohë veten më të rëndësishëm se organizata”, përfshirë ish-kreun e partisë, Albin Kurti.
Ai tha se Kurti, apo kushdo tjetër, nuk mund ta privatizojë Vetëvendosjen.
“Qëllimi ynë parësor është emancipimi shoqëror. Këtë nuk mund ta bëjmë duke e privatizuar organizatën. Aq më pak duke e privatizuar idenë, e cila është e paprivatizueshme”, është shprehur ai.