Zyrtarja nga Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave, Irfete Zejneli, është kërcënuar sot nga një grup i udhëhequr nga asamblisti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani.
Ky i fundit dje ka dërguar kërkesë për takim në e-mail të drejtorisë, ku ka kërkuar takim lidhur për rregullimin e rrugës “Elena Gjika” në Kodrën e Trimave.
Znj. Irfete Zejneli nga Drejtoria përkatëse, i përgjigjet në e-mail si në vijim:
“Të nderuar,
banorët e kësaj rruge janë të mirë se ardhur, Ne do t’i mirëpresim në ora 10 dhe do t’iu shpjegomë se si qëndron çështja dhe nëse kemi mundësi më ndihmën e tyre me dëshirë do të bëjmë zgjidhje, për ndërtimin e kësaj rruge.
Rruga Elena Gjika në Kodrën e Trimave është pjesë e kontratës, Rregullimi i rrugëve “Reshat Maliqi”, “27 Nentori” dhe te trafoja si dhe rregullimi i infrastrukturës në rrugët “Aziz Kelmendi”, “Malush Kosova” dhe Elena Gjika” me Nr. 616 17 095 521 të dt. 24.10.2017.
Operator Ekonomik është Kema Kompani.
Në këtë rrugë është planifikuar komplet rregullimi i infrastrukturës , por punimet akoma nuk kanë filluar për shkak se gjysma e rrugës është pronë private. Pa bisedime dhe marrëveshje paraprake me pronarin, na e pa mundëson fillimin e punimeve
Pronar i parcelës është Parc.nr.790-35 Sabit Vllasaliu sip=7309m2.”
Sot, në zyrë të Drejtorisë për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave, Eman Rrahmani ka ardhur me një grup prej afro 30 vetash, duke e bllokuar në zyrë zyrtaren komunale, si dhe duke e terrorizuar e kërcënuar atë. Madje, disa prej shoqëruesve të tij kanë hipur mbi tavolina të zyrës, dhe e kanë ofenduar zyrtaren komunale në vazhdimësi.
Në incizimin e publikuar nëpër media, shihet Eman Rrahmani me disa prej shoqëruesve të tij, ku njëri nga ta, i mbështetur me karrige për muri, ia pamundëson daljen nga zyra zyrtares në fjalë, duke ia mbyllur shtegun e vetëm të ecjes.
Komuna e Prishtinës ka hapur rast në Policinë e Kosovës, dhe ka kërkuar nga ta që t’i ndërmarrin të gjitha masat e duhura dhe t’i nxjerrin para drejtësisë kërcënuesit. Bashkë me Sigurimin e Komunës dhe Policinë e Kosovës, do të mundësojmë zhvillim normal të punës brenda zyrave komunale, dhe nuk do të lejojmë përsëritjen e rasteve të tilla.