Kryetari Shpend Ahmeti ishte i ftuar sot në konferencën “Komunat e mençura dhe industritë e energjisë efiçentë 2018”. Bashkë me të në panel ishin edhe Kryetari i Komunës Dredensborg (Danimarkë), Thomas Lykke Pedersen, Kryetari i Komunës Egedal (Danimarkë), Karsten Sondergaard, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mutaher Haskuka, Drejtori i Zyrës së Novo Nordisk në Kosovë, Lilzim Adili, si dhe këshilltari për zhvillim të qëndrueshëm të qytetit nga Ambasada e Danimarkës në Kinë, Per Beosgaard.
Në këtë konferencë, Ahmeti tha udhëheqja me Komunën të jep përvojë të jashtëzakonshme, për shkak se je adresa e parë për secilin problem të qytetarëve. “Danimarka është vend nga i cili mund të mësojmë shumë. Praktikat e mira që janë zbatuar atje, janë shumë nevojshme që të zbatohen edhe në Kosovë, sidomos në fushën e energjisë së ripërtrishme. Ne si Komunë e Prishtinës, jemi qyteti i parë në Ballkan që kemi Planin e Qëndrueshëm të Mobilitetit (SUMP), që ofron zgjidhje për problemet e shumta që i hasim çdo ditë në trafik”, tha Ahmeti.
Ahmeti theksoi se për secilën Komunë, janë katër gjëra kryesore në të cilat duhet punuar:
– Shërbimet Administrative – digjitalizimi i shumë shërbimeve në Komunën e Prishtinës ka bërë që qytetarët shumë më shpejt të kenë qasje në dokumentet që iu nevojiten. Për shembull, vetëm përmes E-kioskut, deri sot janë tërhequr mbi 80.000 dokumente;
– Zgjidhjet e mençura për problemet në qytet – ne tani jemi afër zgjidhjes së problemit të parkingjeve. Pagesa për parkingjet publike brenda komunës sonë do të bëhet përmes aplikacioneve dhe pajisjeve të tjera të mençura, me ç’rast qytetarët edhe mund ta shohin gjatë gjithë kohës se ku ka vende të lira për parking;
– Reduktimi i shpenzimeve – mbi 60% e ndriçimit publik në Prishtinës është led, me ç’rast është reduktuar dukshëm shpenzimi edhe i energjisë. Zgjerimi i rrjetit të termokosit dhe investimet që planifikohen të bëhen në ndërtesa kolektive do të ndikojnë në rritjen e efiçencës së energjisë.
– Transparenca – përmes platformës Open Data, çdo dokument i Komunës së Prishtinës është publik.
Të gjitha këto mund të integrohen në një koncept të qytetit të mençur që garanton shërbime shumë të mira dhe shumë transparente.