Edhe përgjatë vitit 2018, Kosova u përball me ndotje të lartë të ajrit dhe tejkalim të normave të ndotjes të lejuara nga Bashkimi Evropian. Më së shumti ndotja e lartë e ajrit u vërejt në kryeqytet
Thëngjilli si lëndë djegëse, termoelektranat, komplekset industriale dhe veturat e vjetra janë shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit, sidomos në Prishtinë ku ka frekuentim më të madh.
Zëvendësshefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së, Libor Chlad, ka shprehur shqetësime për cilësinë e ajrit në kryeqytet.
“Qe 4 vite jam në Kosovë dhe kur eci në Prishtinë nuk jam shumë i kënaqur me cilësinë e ajrit, menaxhimin e mbeturinave dhe gjërave të ngjashme”, tha ai.
I heshtur përballë kësaj problematike nuk ka qëndruar as ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i cili ka thënë se kjo problematikë ka ekzistuar kaherë, por më parë nuk ka qenë temë diskutimi.
Ndër masat e ndërmarra nga Ministria, Matoshi ka përmendur ndalimin e shitjes ilegale të thëngjillit dhe konfiskimin e 14 kamionëve që shisnin ilegalisht thëngjill në Prishtinë si dhe komunat përreth.
Ndër qytetet më problematike sa i përket ajrit të ndotur është edhe Obiliqi.
Banorët e kësaj komune ankohen për ajrin e ndotur, gjendja e së cilit sipas tyre është më e rëndë se në rajonet e tjera. Për Hajrush Currin nga Mazgiti, problemi bëhet më i madh për faktin se KEK-u shpeshherë i ndalë filterët, gjë që rrit tej mase shkallën e ndotjes së ajrit.
Ndërsa qytetarja Nadire Krasniqi tregon se ajri i ndotur po paraqet problem edhe për frymëmarrje, duke shkaktuar probleme shëndetësore.
Me qëllim të përmirësimit të ajrit në kryeqytet, disa herë janë marrë edhe masa, si ajo e ndalimit të përdorimit të thëngjillit dhe kufizimi i qarkullimit të veturave.
Ambientalisti Labinot Salihu, tërheq vërejtjen se masat parandaluese kundrejt faktorëve që ndotin ajrin duhet të ndërmerren para se rreziku i ndotjes të jetë në nivele të atilla që të paraqesë rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Sipas tij, është mirë që Qeveria dhe komunat të gjejnë alternativa deri në zgjerimin e rrjetit të nxemjes, duke u ofruar qytetarëve për ngrohje forma më miqësore për mjedisin.
Sipas OKB-së ndotja e ajrit shkakton çdo vit vdekjen e 7 milionë personave. Ndërsa OBSH bëri të ditur se si pasojë e ajrit të ndotur çdo vit vdesin rreth 600 mijë fëmijë./kp