Pacienti i fundit i testuar në Klinikën Infektive në Shkup nuk është i prekur nga Coronavirusi.
Ai kishte mbërritur nga Dubai në Shkup para disa ditësh dhe i kishte kaluar të gjitha kontrollet, por më pas është ankuar për simptoma të ngjashme me ato të Koronës.
Pas analizave të nënshtruara u konfirmuar se personi ishte me grip dhe te ai nuk është gjetur prania e virusit të rrezikshëm.
Paraprakisht edhe një person tjetër që kishte udhëtuar nga Italia ishte ankuar, por pas analizave të kryera u konstatuar se ai nuk ishte prekur nga Coronavirusi
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe apeloi që të mos shkaktohet panik, pasi janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.
“Rastin e dytë të cilin e testuam nga koronavirusi është negativ, bëhet fjalë për udhëtarin i cili erdhi nga Dubai pas gjashtë ditësh, bëhet fjalë për Influencën-B. ” Udhëtarët të cilët vij në nga Italia veriore do të lëshohen në vetëm pesë kalime, në Tabanoc, Deve Bair, Qafëthanë, Bllacë, Bogorodicë si dhe dy aeroportet këtu në Shkup dhe Ohër”, deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Frika nga virusi Korona ka detyruar Qeverinë që të anulojë të gjitha udhëtimet dhe ekskursionet e shkollave dhe të universiteteve për në Itali, ku numri i të prekurve nga Covid19 po rritet me shpejtësi të madhe.
Në mbledhjen e fundit Qeveria obligoi ministrinë e Shëndetësisë që urgjentisht të sigurojë sasi të konsiderueshme të maskave, dorezave, mjeteve dezinfektuese dhe veshjeve mbrojtëse për institucionet e sistemit për menaxhimin e integruar të kufijve me qëllim mbrojtjen e personelit si dhe të sigurojë mjete dezinfektuese dhe sapunë për shkollat dhe çerdhet e vendit. Shkollat poashtu obligohen që në bashkëpunim me komunat dhe Qendrat e shëndetit Publik të organizojnë orë edukative.