KF Rahoveci, pas një periudhe të gjatë, ka shijuar fitore, por tash nën udhëheqjen e kryetrajnerit Fadil Vuçitërna, dhe atë kundër pretendentit për kreun e tabelës, skuadrës së Dukagjinit, me rezultat 2:0, me golat e Astrit Berishës, në minutat 2 dhe 30.
Gjatë pasdites së sotme KF Rahoveci dhe KF Dukagjini nga Klina kanë zhvilluar ndeshjen e radhës. I pranishëm në mesin e tifozëve ishte edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi.
Të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes, futbollistët vendas qysh nga fishkëllima e parë e gjyqtarit kryesor Isak Ceroviku, filluan pareshtur të sulmojnë portën e portierit mysafir, Visar Haxhiaj, dhe si fryt i këtyre sulmeve vendasit shënojnë në minutën e dytë.
Durim Gashi ekzekuton gjuajtjen nga këndi drejt pesëmetërshit të portës mysafire, krijohet tollovia ku topi shkonte nga këmba në këmbë, më së miri gjendet aty sulmuesi Astrit Berisha dhe e plason topin në rrjetë. Loja e mirë e rahovecasve në pjesën e parë, rezulton edhe me ngritjen e avantazhit në minutën 30, kur Agim Hoti harkon nga ana e djathtë drejt Astrit Berishës, i cili nga afërsia e plason topin në rrjetë. Në pjesën e dytë të lojës, mysafirët marrin iniciativën, por sulmet dhe tentimet e tyre ndaleshin para zonës së vendasve.
Duhet theksuar medoemos, se me ardhjen e Fadil Vuçitërnës po dëshmohet se problemi kryesor në klubin e Rahovecit ka qenë shtabi teknik, dhe futbolldashësit rahovecas me të drejtë shpresojnë në ditët më të mira të futbollit rahovecas.