Zinedine Zidane e kishte parashikuar vështirësinë me të cilën po përballet Real Madridi këtë sezon në Ligën e Kampionëve. Kjo gjë kuptohet përmes deklaratës që e kishte bërë ai, kur ishte larguar nga klubi,
46-vjeçari u bë i pari dhe i vetmi trajner që arriti t’i fitojë tre tituj të Ligës së Kampionëve radhazi, brenda dy sezoneve e gjysmë me Real Madridin, mirëpo pastaj e tronditi botën e futbollit kur u largua nga “Los Blancos”, verën e kaluar.
Megjithatë, Zidane ishte i vetëdijshëm për vështirësitë me të cilët u përball Real Madridi këtë sezon, në garën më prestigjioze të Evropës, Ligën e Kampionëve.
“Do të ishte shumë e vështirë ta fitojmë titullin e Ligës së Kampionëve përsëri vitin e ardhshëm. Ka pasur momente të mira, por edhe të vështira. Nuk e harroj këtë gjë”, kishte thënë Zidane, kur u largua nga klubi.
“Nuk dua ta filloj një sezon dhe të kaloj keq. Dua ta përfundoj karrierën në Real Madrid kur gjithçka është duke shkuar mirë. E bëra këtë gjë si lojtar dhe tani përsëri, si trajner. Ky është momenti i duhur për t’i dhënë fund kësaj”.
Dhe parashikimi i tij doli të jetë i saktë. Real Madridi e pati të vështirë ta arrinte titullin e Ligës së Kampionëve për të katërtin sezon radhazi, dhe mbrëmë u eliminua nga Ajaxi, qysh në 1/8 e finales.
Sipas ish-futbollit legjendar, Ruud Gullit, Zidane ishte larguar në kohën e duhur, veçanërisht për shkak të transferimit të Cristiano Ronaldos në Juventus, verën e kaluar.
“Zidane ishte i mençur që u largua atëherë kur klubi e humbi Ronaldon. Ky është i gjithë problemi. Dhe kushdo që do të vinte pas tij, do ta kishte në detyrë tejet të vështirë para vetes”, ka thënë Gullit.
“Ti nuk e ke më Ronaldon. Kjo do të thotë se i ke humbur 50 gola edhe para se të nisë sezoni”.