Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacionin rrugor.
Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën 08–14 qershor 2026 janë shqiptuar gjithsej 1.279 gjoba kundërvajtëse, ndërsa janë pezulluar 12 patentë shoferë për drejtuesit e automjeteve që kanë kryer shkelje të rënda të rregullave të trafikut.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 24 aksidente trafiku, prej të cilave 15 aksidente me të lënduar, ku kanë pësuar 21 persona, si dhe 9 aksidente me dëme materiale.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në terren, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve.
Në njoftim u është bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes.
Gjithashtu, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro policinë” si dhe në numrin kujdestar 192.