Me qëllim të koordinimit sa më të mirë të procesit të faljes së borxheve, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe institucioneve relevante, Komisioni koordinues ndërinstitucional për faljen e borxheve po ofron në vazhdimësi përkrahje teknike, procedurale dhe ligjore për të gjitha Institucionet Shtetërore dhe Ndërmarrjet Publike për të garantuar kështu mbarëvajtjen e procesit në tërësi.
Në kuadër të këtij procesi, anëtarët e Komisionit koordinues ndërinstitucional për faljen e borxheve sot janë takuar me përfaqësuesit e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.
Kryesuesi i Komisionit për faljen e borxheve publike Agron Thaqi, bëri të ditur për mundësitë që ofron Ligji për faljen e borxheve publike, ku sipas tij në mënyrë të qartë dhe precize përcaktohen procedurat për faljen e borxheve publike për periudhën 2000 – 2008 që personat fizikë dhe juridikë kanë ndaj Institucioneve shtetërore dhe Ndërmarrjeve Publike, si dhe për masat e nevojshme që brenda afateve të përcaktuara me ligj ti përmbushin detyrimet e tyre.
Ai me këtë rast, ju bëri thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të cilët akoma nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, të vizitojnë institucionet ndaj të cilave kanë detyrime të papaguara dhe në përputhje me Ligjin për faljen e borxheve, të aplikojnë dhe të zhvillojnë procedurat brenda afatit ligjor, në mënyrë që të mund të realizojnë të drejtat e tyre dhe të përfitojnë nga falja e borxheve deri më 1 Shtator 2017.
Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i KRU-“ Hirdoregjioni Jugor” sh.a Prizren Besim Baraliu, i informoi anëtarët e Komisionit për faljen e borxheve, për ecurinë e deritanishme sa i përket faljes së borxheve publike në këtë Kompani, si dhe për hapat e mëtutjeshëm në implementimin e këtij Ligji.
“Me Ligjin për falje të borxheve janë trajtuar gjithsejtë: 30 500 përfitues potencial, ku deri më tani kanë përfituar 9,473 konsumator. Nga vlera totale e paraparë për falje 6 655 724 00 euro deri më tani janë falur 2 009 753 69 (55%), përderisa nga vlera 7 256 711 10 euro e parashikuar për tu inkasuar deri me tani janë arritur marrëveshje për 2 569 808 04 milionë euro” ka shtuar kryeshefi ekzekutiv Baraliu.
Ai gjithashtu falënderoi anëtarët e Komisionit për faljen e borxheve publike dhe Ministrinë e Financave për përkrahjen e tyre në procesin e implementimit të Ligjit për faljen e borxheve, si dhe ju bëri thirrje të gjithë konsumatorëve për shfrytëzimin e të drejtës së tyre që ju jep Ligji për faljen e borxheve.