10 milionë shikime ka regjistruar video promovuese, që sjell një panoramë të mrekullueshme të Shqipërisë turistike dhe mbyllet me fjalët “Shqipëria – ndiq udhën tënde”, si një ftesë për të gjithë turistët e huaj.
Pas thirrjes dje të ministrit të Turzimit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në eventin “Oda”, ku u shpall ngritja e Rrjetit të blogerave shqiptarë, ka qenë i menjëhershëm reagimi i tyre në rrjetet sociale. 10 milionë shikime janë regjistruar për videon “Shqipëria- ndiq udhën tënde!”, të shpërndarë nga blogerat shqiptarë me ndikim të gjerë në rrjetet sociale jashtë Shqipërisë, thuhet në një njoftim për shtyp të shpërndarë të hënën nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të cilin e transmeton atsh.
Sikur 1 mijë prej 10 milionë shikuesve të huaj të vijnë si turistë në Shqipëri, atëherë mund të thuhet pa frikë se rrjeti i blogerave ka funksionuar shkëlqyeshëm që në ditët e para, citon njoftimi.
Ishte vetë ministri Klosi, i cili publikoi në profilin e tij zyrtar në Facebook gjatë eventit “ODA”, videon promovuese për Shqipërinë duke ftuar të gjithë ndjekësit që ta shpërndajnë.
Video promovuese sjell një panoramë të mrekullueshme të Shqipërisë turistike dhe mbyllet me fjalët “Shqipëria- ndiq udhën tënde”, si një ftesë për të gjithë turistët e huaj.
Bashkë me shikimet duket se video është pëlqyer po aq sa edhe thirrja e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit që shkruan: ”Jehoje edhe, ti në profilin tënd!” duke u kërkuar të gjithë ndjekësve në rrjetet sociale që ta shpërndajnë, sepse siç shkruan ministri: ”Shqipëria meriton vëmendje! Turistët meritojnë Shqipërinë!”
“Dhe në fakt thirrja e ministrit ka “jehuar” në të gjithë postimet e blogerave të njohur, duke diktuar udhën e suksesshme të një fushate të veçantë promovuese për Shqipërinë.
“Jehoje edhe ti- ndjek udhën e vet!””, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Turizmit.