Papunësia e të rinjve në Kosovë mbetet e lartë dhe shumë nga ta, nuk kanë mundësi të zhvillojnë në mënyrë efektive aftësitë, të konkurrojnë në tregun e punës dhe gjejnë punë. Situata është edhe më kritike në zonat rurale, ku mundësitë për punësim janë më të rralla. Vetëpunësimi në bujqësi, shërbime lokale ose prodhimtari të vogla, shpesh mbetet opsioni i vetëm për të jetuar.
Nën fushëveprimin e projektit INTERDEV 2 të UNDP-së, të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), dhjetë të rinj nga komuna e Vitisë kanë përfunduar trajnimin dhe janë aftësuar në profesionet e ngrohjes qendrore, zdrukthëtarisë, saldimit, instalimeve elektrike dhe hidro instalimeve, duke u ofruar të rinjve mundësi për të konkurruar në tregun e punës.
Në një ceremoni të organizuar të enjten, nga Komuna e Vitisë, Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe UNDP-së, pjesëmarrësit u pajisën me certifikata për përfundimin e trajnimit profesional. Në ngjarje, përfituesve iu ndanë edhe mjete dhe pajisje, për t’i ndihmuar të bëhen të vetëpunësuar në profesionet e tyre.
Me këtë rast, nënkryetari i komunës, Hasan Aliu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me UNDP-në dhe mbështetjes së të rinjve me këto lloj trajnime për vetë-punësim si mënyrë e gjenerimit të të ardhurave. Duke i uruar të gjithë përfituesit, Aliu falënderoi UNDP-në dhe ADA-në për përkrahjen e dhënë komunës së Vitisë përmes këtij projekti.
Trajnimi profesional është pjesë e Paktit Territorial të Punësimit 2017-2020 në Viti, duke iu përgjigjur potencialeve vendore në tregun e punës dhe duke kontribuar në adresimin e mungesës së mundësisë për aftësim në nivel lokal. Pjesëmarrësit u përzgjodhën në bashkëpunim me Zyrat Lokale të Punësimit dhe trajnimi u realizua nga Qendrat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për Aftësim Profesional (QAP) në Ferizaj dhe Gjilan.
Që nga viti 2014, projekti INTERDEV, ka mbështetur banorët e komunave të Dragashit, Shtërpcës dhe së fundmi edhe të Vitisë, për të për të zhvilluar aftësi të reja, për të gjetur punë, rritur prodhimin bujqësor dhe rural, dhe për të gjeneruar më shumë të ardhura për familjet lokale. Projekti promovon në mënyrë aktive fuqizimin e grave, të rinjve dhe personave në rrezik për t’u lënë mënjanë, me mundësi për punësim, zhvillim të aftësive dhe ndërmarrësi rurale.