100% përkrahje nga komuniteti i biznesit për taksën doganore ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina

Prishtinë | 22 Nën 2018 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Oda Ekonomike e Kosovës mbajti sot takim informues me biznese të sektorëve të ndryshëm, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj importit të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.  Duke lënë anash interesin ekonomik personal, komuniteti i biznesit përkrah bashkërisht vendimin qeveritar duke i dhënë konsideratë më të lartë interesit të përgjithshëm shtetëror.

Megjithatë, për të ju lehtësuar sado pak veprimtarinë e tyre biznesore, bizneset e prekura nga kjo taksë kërkojnë qartësim të afatit kohor të këtij vendimi dhe informim më të detajuar rreth proceseve përcjellëse.

Për më shumë bizneset shprehin nevojën për koordinim më të mirë ndërinstitucional  për klasifikimin e brendeve ndërkombëtare, mallin që gjendet në depot doganore dhe politikave shtetërore për mbështjetjen e prodhimeve vendore.

Më poshtë gjeni fjalimin e Kryetarit z. Berat Rukiqi lidhur me qëndrimin e Odës Ekonomike për taksën prej 100%.

“Bazuar në parimet e përgjithshme të shprehura në preambulen e Marrëveshjes “CEFTA”, përfshirë riafirmimin e vendeve anëtare për demokraci pluraliste të bazuar në shtetin ligjor, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore; duke i’u referuar deshtimeve të të gjitha mekanzimave nderkombëtare në adresimin e shkeljeve të marrëveshjeve ndërkombëtare, nga ana vendeve anëtare te CEFTA-s, veçanerisht nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina;

Bazuar ne supozimin që tregtia e lirë ka kuptim vetëm kur zhvillohet në kushte të barabarta, fer dhe me respekt reciprok; bazuar në interesin shtetëror për fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar, si një ndër parakushtet për stabilitet politik dhe ekonomik, OEK përkrah vendimin për masa të politikës tregtare ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, si mjet i pashmangshëm per zbatim te marreveshjes së CEFTA-së, zbatim te marrëveshjeve bilaterale me Serbine dhe respektim te lirive themelore, përfshire lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe sherbimeve.

Në mënyrë që ky vendim të krijoj efektet ekonomike, pa shkelur marrëveshjet ndërkombëtare, dhe të ketë një qëndrueshmeri, duhet të respektoj ligjet dhe politikat që rregullojnë aspektet e tregtisë, përfshirë ligjin për masa mbrojtëse dhe dispozitat për praktika të padrejta tregtare. Për të minimizuar çdo efekt negativ në treg, Oda Ekonomike e Kosoves, ka rritur komunikimin me bizneset dhe partnerët e rëndësishem ndërkombëtar, për krijim të alternativave për furnizim emergjent dhe afatgjatë. Gjithashtu së shpejti do te dalim me rekomandime konkrete per riorientim ekonomik, që do të na mundësoj të jemi më konkurrues me prodhimet tona dhe plotësim të nevojave të tregut me prodhime nga vendet me të cilat kemi raporte të shëndosha ekonomike dhe politike”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme