123 ditë nga zhdukja e Bedri Rexhepit, familja thotë se Prokuroria po qëndron e heshtur

Prishtinë | 09 Gus 2021 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Të dielën, më 8 gusht,  janë bërë katër muaj prej kur biznesmeni Bedri Rexhepi nga Prishtina është zhdukur. Familjarët e tij nuk kanë asnjë informatë për të, madje, nuk e dinë nëse ai është gjallë apo jo. Prokuroria vazhdon të hesht rreth këtij rasti. Derisa në paraburgim po qëndron Jeton Vllasaliu, si i dyshuari kryesor për rrëmbimin e Bedriut, shkruan Gazeta Express

Qe 123 ditë, familjarët e Bedri Rexhepit nga Prishtina po kërkojnë të dinë se ku ndodhet ai, por deri më tani, nuk kanë as edhe një informatë të vetme për të. Ata madje nuk e dinë nëse Bedriu është i gjallë apo jo.

Familja Rexhepi po kritikon institucionet e drejtësisë për zhagitje të zbardhjes së rastit të zhdukjes së Bedriut.

Vedat Rexhepi, ka deklaruar për Express se përkundër faktit që Prokuroria ka një të dyshuar i cili gjendet në paraburgim, asnjë informatë deri më tani nuk është nxjerrë në ditë, për zhdukjen e vëllait të tij.

“Përkundër që Prokuroria për zhdukjen e Bedriut e ka në paraburgim të dyshuarin Jeton Vllasaliu dhe provat që disponon janë bindëse për implikimin e tij, ne si familje akoma nuk kemi asnjë pergjigje se ku gjendet ose çka ka ndodh me fatin e Bedriut”, ka deklaruar Vedati.

Ndryshe, Gazeta Express ka bërë disa kërkesa me shkrim në adresë të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, për të ditur nëse po kryhen hetime rreth rastit të zhdukjes së Bedri Rexhepit, por deri në publikimin e këtij teksti, Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjërën kërkesë të Gazetës.  

Çka dihet deri më tani për zhdukjen e Bedri Rexhepit

Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të këtij viti. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.

Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij.

Vllasaliut iu caktua masa e paraburgimit nga data 13 pill deri më 13 maj, ndërkaq nga ajo kohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ka treguar nëse ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

Megjithatë, nga Gjykata Themelore i kanë thënë Expressit se Vllasaliut i është vazhduar masa e paraburgimit deri në fillim të muajit shtator.

Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar për Express se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.

“Ka qenë klient i vëllait, deri në kohën kur është arrestuar ka qenë me veturë të vëllait. Ka qenë i rregullt me pagesa, pak me vonesa, por ka qenë. Për këtë s’kanë pasur ndonjë problem”, pati deklaruar deklaruar Adnan Rexhepi.

Ai kishte treguar se vëllai i tij e ka pasur me vete një shumë të parave, por familja nuk e di sa kanë qenë.

“Shumë të parave ka pasur, por sasinë nuk e dimë as ne. Dyshimet janë të gjithanshme, në çdo anë dhe çdo send po dyshojmë, por s’po dimë konkret diçka hala”, ka deklaruar ai.

Tha se ka informata për Bedriun, paraburgim  për burrin nga Suhareka

Gjykata Themelore e Prishtinës të mërkurën ia ka caktuar masën e paraburgimit S.G., i cili dyshohet se ka mashtruar familjen e Bedri Rexhepit, i cili është i zhdukur që nga data 8 prill, se do t’u ndihmojë për ta gjetur atë

Vëllai i Bedri Rexhepit, Vedati, ka treguar për Express se i dyshuari e kishte kontaktuar përmes rrjetit social Facebook.

Këtij iu prezantua si agjent i AKI-së dhe i tha se kishte kontakte me një agjent të CIA-s. Por, këto dy role ai i luante vetë.

“Fillimisht mu ka lajmëru me një profil të rremë në Facebook, dhe ka insistua që gjoja se ky e ka pasur një problem të njëjtë me rastin tonë, se para disa vjetëve ia kanë kidnapua babën a ku e di unë, e ka pasur të zhdukur dhe më ka sugjeruar më dalë me një person të CIA-s. Ky do të thotë është i njëjti, një person i ka luajtur dy role, me Facebook është paraqitur gjoja se është agjent i AKI-se e gjoja se ka komunikim me një person të CIA-s amerikane me prejardhje shqiptare dhe ma ka dhënë një email adresë dhe kam filluar komunikimin me të”, ka deklaruar Adnani.

Ai deklaron se S.G. i kishte thënë se Bedriu gjendet në një burg në Nish të Serbisë, dhe për ta nxjerrë nga atje, duhen të holla.

“Fillimisht e kam pasur një takim me të, më ka thënë që ka informata se vëllai është në burgun e Nishit, më ka dërgu edhe me shkrim, gjoja se gjendet në Serbi. Na ka thënë se do të shkojmë ta marrim, duhen disa shpenzime, pasi është privat”, ka deklaruar Vedati.

Por, ai ka thënë se nga fillimi kishte dyshuar në vërtetësinë e informatave që pretendonte se i kishte S.G.

“Unë kam dyshu prej ditës së parë që është mashtrim. Më pas, e kemi lënë takimin për të hënën, në bashkëpunim me policinë kemi shku në vendin ku kemi pasur të takohemi dhe policia e ka arrestuar”, ka deklaruar Vedat Rexhepi.

Gjykata Themelore e Prishtinës të mërkurën njoftoi sendaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ai dyshohet për veprat penale “Mashtrim”, “Shantazh”, “Prezantim i rremë si person zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit” dhe “Manipulim i provave”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.G. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit S.G. paraburgimi i caktohet në bazë të nenit 185 dhe nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, bëhet e ditur në njoftimin e Gjykatës.

Të ngjashme