Kandidati për deputet nga LDK-ja, Muhamet Mustafa, ka ngritur zërin për numrin e madh të fletëvotimeve, duke kërkuar të bëhet një hetim. Deri më tani Mustafa thotë se ky problem nuk po e shqetëson askënd. Sipas profesorit të ekonomisë, janë disa arsye që ky proces po vazhdon të heshtet. Mustafa tregon në një intrevistë për lajmi.net se cka nuk është në rregull me këtë proces.
Lajmi.net: Ku konsideroni se është defekti që kanë dal kaq shumë fletë votime të pavlefshme si dhe probleme me rinumrimin e votave për kandidatë brendapërbrenda listave?
Mustafa: Kjo duhet të hulumtohet për të dhënë një vlerësim të saktë, gjithëpërfshirës, ndonëse disa defekte nuk janë të panjohura pasi që i përcollën thuaja të gjitha votimet nacionale e lokale . Fatkeqësisht këto defekte në vend se te zvogëloheshin po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha duke lënduar rëndë procesin e votimeve dhe kredibilitetin e tij. Ndaj ndoshta më mirë është të quhen deformime të rënda se sa defekte përcjellëse e sporadike. Për çudi kjo nuk po e shqetëson shumë as opinionin dhe akterët e tjerë, sidomos shoqërinë civile dhe përgjegjësit tjerë. Sa për partitë politike ato duket se nuk mërzitën për këtë, duket se atyre kjo u konvenon që aty këtu të kenë një instrument për ta përdorur sipas nevojes dhe preferencave për të realizuar interes të individëve ose të grupeve të caktuara të interesit. Defekti qëndron ndoshta në shumë pika, në natyrën e marrëdhënieve brenda partive politike, në nivelin e ultë të kulturës demokratike e politike brenda tyre, në sistemin e komplikuar zgjedhor, në indolencën për ndjekjen e shkelësve të ligjit zgjedhor, në tolerancën që gjithë kësaj i bëhet nga ata që janë përgjegjës që këtë mos ta lejojnë. Kjo i përngjet një sjellje prej struci të shumëkujt. Fakti se vetëm 14 persona u gjeten fajtorë dhe u vunë para ligjit në gjithë këtë “hallakamë” më shumë e ilustron këtë shembullin për strucin se sa të kundërtën.
Lajmi.net: E keni ngritur zërin disa herë dhe keni kërkuar hetim për këto si i quani ju deformime ?.
Mustafa: Jam përpjekur që këtë çështje ta vej në spikamë, ta bëjë një çështje debati. Disa postime te mia në rrjete sociale u trasmetuan edhe në mediat online, ky ishte njëfarë rezultati, por asgjë më shumë. Si duket për tërhequr vërejtje duhet dikë ta shash, bile vrazhdë , madje patjetër edhe me emër dhe mbiemër! Ndaj kjo çështje nuk u bë objekt debati askund tjetër siç thash edhe më lartë. I inkurajuar nga një deklaratë e kryetares së KQZ-së që thoshte se ka probleme tek numërimi i votave për kandidatë brenda listave, i inkurajuar edhe nga një koment i në komisionari në një nga postimet e mia që e dëshmonte teknologjinë e këtij marifeti, unë dhe tre kolegë të mi bëmë një parashtresë në PZAP dhe pas përgjigjes së tyre negative e përcollëm edhe në Gjykatën Supreme, ku morëm një përgjigje thuaja copy past: Nuk keni argumentuar pretendimet tuaja. Thuaja se argument nuk ishin këto të dyja. Duke mos e bërë ankesën të motivuar ekskluzivisht për një hall individual, në ankesë cekëm argumentet më lartë dhe kërkuam që me metodë standarde të hulumtimit, në një mostër të rastit , duke e sajuar këtë mostër me program kompjuterik, mostër të përbërë prej 248 kutive për tu rinumëruar dhe hetuar, nga 2900 apo më shumë sa janë kuti me fletëvotime, në mënyrë që të nxirret përmasa e dukurisë se fletëvotimeve të pavlefshme dhe e dukurisë “së rishpërndarjes” së votës midis kandidatëve dhe të krahasohet me proceset dhe rezultatet e sajuara në vendvotime. Kjo do të tregonte saktë nëse është deformuar rezultati i votimit dhe nëse po me çfarë përqindjeje dhe në bazë të kësaj të vlerësohet kredibikliteti i numërimit të votave dhe përfaqësimit në Kuvend. Ata na u përgjigjen se kjo metodë nuk është paraparë me Ligj (!?). Saktë, por kjo as nuk është ndaluar dhe ato trupa janë përgjegjëse që të bëjnë gjithçka për të siguruar kredibilitetin e zgjedhjeve. Nuk u mjaftoi fakti se në 116 kuti të rinumëruara, në bazë të ankesave individuale u deshtë të ndërrohen 3 deputetë që ishin shpall fitues nga sipas proceseve nga vendvotimet!. Ky ishte një indikacion mjaft domethënës për pretendimet tona, por nuk mund të përdoret për të nxjerrë konkluza në nivel të procesit pasi ato 116 kuti nuk janë një mostër e sajuar me metodologji standard të rastit që të mund të reprezentoje të gjitha kutitë me fletëvotime. Me duket se kishte një brengë më të madhe që gjithçka të mbyllet sa më shpejtë sesa për te testuar kredibiklitetin e përfaqësimit në institucionin më të lartë demokratik që merr vendimet për çështjet më madhore të vendit.
Lajmi.net: Një përgjigje keni marr nga DnV. A mendoni se kjo përgjigje e mbyll këtë problem, apo duhet të vazhdohet me gjetjen e të vërtetës?
Mustafa: Po unë i thirra DnV që të deklarohen publikisht pasi që ata para opinionit kanë marrë zotime për ta monitoruar procesin dhe kjo kishte të bëjë me numrin aq të madh të fletëvotimeve të pavlefshme. Një numër shqetësues mund të thuhet, bile ne rritje prej rreth 30,000 në zgjedhjet e 2014 në afro 50,000 në këto të qershorit të sivjetmë. Pas një kohe ata u përgjigjen , me konkretisht udhëheqësi i tyre z. Kryeziu, duke prezantuar një hulumtim që e quajtën preliminar (pra që do të pasohej me analiza më serioze) dhe që thoshte se nuk ka problem për tu shqetësuar për aq sa dinin ata. Por megjithatë ata thanë diçka shumë të rëndësishme: Ata thane se shumë pak as aspak mund ta monitorojnë cilësinë e procesit e numërimit të votave , të pavlefshme ose të numërimit të votave për kandidatë. Prandaj kjo donte të thoshte se gjithçka është në mëshirën e komisionarëve. Komisionarët natyrisht mund të bëjnë edhe gabime nga lodhja, por edhe duke qenë të angazhuar me vite, nuk përjashtohet mundësia e ndikimit të tyre nga interesat individuale e grupore dhe marrëveshjes në stilin “ ti puno për partinë tende dhe unë për partinë time” . Pse fjala vije komisionarët nga Podujeva mos të shkojnë në Gjakovë dhe anasjelltas, dhe pse fjala vije mos të skanohen fletëvotimet dhe digjitalizohet procesi. Kjo nuk do të rriste koston aq shumë, dhe do ta siguronte kredibilitetin e numërimit. A është ky një lëshim nga “asgjëja” apo ky farë sistemi u konvenon partive politike ?
Lajmi.net: A do ta zgjidhte këtë problem reforma zgjedhore?
Mustafa: Mund ta reduktojë ndjeshëm së paku këtë “rishpërndarjen” e votave brendapërbrenda listave të subjekteve politike nëse votimi do të bëhej sipas listave në zona zgjedhore, ku për shembull do të ishte një listë vetëm për kandidatet në një komunë që bazuar ne numrin e banorëve do te jepte 4 vende ne Kuvend,e kur për ato vende do të garonin kandidatë nga subjektet zgjedhore. Ne këtë rast secila parti me komisonerët e vet do të kujdesej që mos të bëhet “kjo rishpërndarje. Numërimi elektronik dhe digjitalizimi i procesit është zgjidhja tjetër për tejkaluar ose zvogëluar këto deformime në përmasa të durueshme. Nuk ka asnjë arsyetim se perse numërimi elektronik nuk po përdoret edhe në sistemin zgjedhor ekzistues.
Lajmi.net: Çfarë roli mendon se duhet të ketë KQZ-ja në këtë rast?
Mustafa: KQZ ka përgjegjësinë më të madhe, ndonëse jo e vetmja, për kredibilitetin e sistemit zgjedhor dhe duke e pas një përvojë nga zgjedhjet e kaluara, me numrin e madh të votimeve të pavlefshme dhe siç tha edhe vete Kryetarja tek numërimi votave për kandidatë është dashur të propozojë dhe zbatojë masa me efektive për tejkalimin e tyre.
Lajmi.net: A e ka kryer punën KQZ-ja, pasi është konsideruar se ky institucion nuk ka arritur t’i informojë mjaftueshëm qytetarët?
Sigurisht KQZ ka mundur të bëjë më shumë në shpjegimi në mënyrës së votimit, por nuk mund të bëjë vetëm ajo gjithë punën. Edhe partitë politike dhe mediat është dashur të bëjnë më shumë, një fushatë më gjithëpërfshirëse informimi dhe instruktime të votuese dhe kjo sigurisht do ta reduktonte numrin e fletëvotimeve të pavlefshme.
Lajmi.net: Pse hoqët dorë nga politika, kur dihet se keni dhënë kontribut në politikën e Kosovës dhe po ashtu në Kuvend?
Mustafa: Më saktë është siç e kam thënë ne deklaratën time publike, kam hequr dorë nga puna e drejtpërdrejtë në institucione kuvendore ose qeveritare ose partiake. Arsyet për këtë i kam bërë publike. Por askund nuk kam thënë se heq dore nga politika. Me politiken e sidomos me politikat ekonomike do të merrem në kuadër të tri projekteve që i kam deklaruar: Hulumtimeve për politikat ekonomike dhe zhvillimore dhe avokimit për to brenda Institutit Riinvest, me një angazhim civik ne Forumin Qytetar të Prishtinës që është në formim e sipër, dhe në Qendrën Shqiptare për Studime Strategjike, me seli ne Tiranë, që e kemi themeluar me një grup kolegësh akademike e profesionistë nga Prishtina, Tirana dhe Maqedonia. Pra mbetem thellësisht i angazhuar dhe i preokupuar me politikën dhe sidomos me politikat ekonomike dhe zhvillimore nga një platformë tjetër prej punës direkte në institucione, duke konsideruar se aty do te jem me efektiv dhe duke qene i hapur për të dhenë rekomandimet tona secilit formacion qeveritar e kuvendor që zgjidhet nga Kuvendi, nëse natyrisht është i hapur për një bashkëpunim të tillë. Ju faleminderit shumë për këtë bisedë lajmi net.