Katër njerëz kanë vdekur derisa 159 të tjerë nuk janë gjetur akoma dhe besohet se janë nën rrënojat e ndërtesës 12 katëshe që u shemb në Florida.
Kryebashkiaku i Miami-Dade, Danielle Levine Cava, thotë se “kanë shpresë” që të gjejnë persona të gjallë nën rrënoja, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë thënë se kanë dëgjuar njerëz duke kërkuar ndihmë poshtë rrënojave.
Se çfarë e bëri ndërtesën 40 vjeçare të shembet herët në mëngjes të enjten mbetet ende e paqartë, derisa pas shembjes dhjetëra njerëz janë evakuar prej ndërtesës, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka miratuar një Deklaratë Emergjence në Florida, që do të thotë se Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (Fema) do të ndihmojë agjencitë shtetërore për t’u dalë në ndihmë.
Kryetari i Surfside, ku ndodhi fatkeqësia, Charles Burkett, tha në një konferencë shtypi në mëngjes herët se rreth 15 familje janë larguar nga ndërtesa, ndërsa shembja ndodhi rreth orës 1 pas mesnate kur shumica e banuesve ishin në gjumë.
Ekipet e shpëtimit thanë se do të bëjnë “gjithçka që është e mundur” për të gjetur ata që kanë mundur t’i mbijetojnë shembjes së kësaj ndërtese që kishte 55 apartamente.
“Ne do të vazhdojmë kërkimin dhe shpëtimin, sepse kemi ende shpresë se do t’i gjejmë njerëzit të gjallë”, thanë ata.
Brenda natës, ekipet e kërkimit kanë dëgjuar tinguj të goditjeve dhe zhurmave të tjera, por nuk kanë arritur ta detektojnë asnjë zë që vinte nga rrënojat në të cilat po kërkonin. Zyrtarët thonë se përpjekjet janë të rrezikshme, pasi rrënoja të tjera mund të shemben mbi ta.
Autoritetet kanë filluar të marrin mostra të ADN-së nga të afërmit e të zhdukurve në rast se vetëm mbetjet e anëtarëve të familjes së tyre gjenden nën rrënoja, ndërsa të reshurat e shumta të shiut po ua komplikojnë punën.
Familjarët e të zhdukurve janë mbledhur rreth një qendre komunitare disa blloqe më larg, duke pritur për informacione dhe mbi çdo të re për familjarët e tyre, të gjallë ose të vdekur, që janë akoma nën rrënoja.