Policia e Kosovës po heton “vdekjen e dyshimtë” të një 16-vjeçari nga Banja e Istogut, pas një zënke fizike që ai kishte pasur me tre moshatarë të tij, derisa po udhëtonte me autobus. Tre të mitur janë arrestuar.
Policia ishte informuar rreth orës 13:12, përmes telefonit, nga Qendra Emergjente e Spitalit Rajonal Pejë, se një person kishte arritur më gjendje të rëndë shëndetësore, por ende me shenja jete. Por, përkundër përpjekjeve të ekipit mjekësor për t’i dhënë ndihmën adekuate mjekësore, ai kishte ndërruar jetë.
Menjëherë, njësite relevante policore të Stacionit policor në Istog kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të mbledhur informacionet lidhur me rastin; është njoftuar prokurori i shtetit, Njësiti Rajonal i Hetimeve për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operativo-hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti.
Sipas të dhënave të para hetimore, hetuesit në bashkëpunim me prokurorin e shtetit kanë arritur të mësojnë se sot, rreth orës 12, në fshatin Banjë komuna Istogut, viktima shtetas shqiptar i Kosovës, A.A. (17.09.2000), kishte hyrë në autobusit “Meli Tours” me qëllim që të shkojë në drejtim të Pejës. “Aty krijohet një tollovi me ç’rast (sipas dëshmitarëve) fillon zënka në mes të viktimës dhe personave të dyshuar”, njofton policia.
Pas kësaj zënke që nuk kishte zgjatur, viktima zbret nga autobusi dhe shkon në fshatin Lubovë, jo larg nga Banja. Pasi arritjes në shtëpi, atij i ishte keqësuar gjendja shëndetësore dhe menjëherë nga prindërit e tij ishte transportuar për në Spitalin Rajonal në Pejë.
Hetuesit rajonalë kanë shoqëruar tre persona, të gjithë të lindur në vitin 2000, pjesëmarrës në ketë zënkë të cilët janë intervistuar në prezence të prindërve të tyre dhe mbrojtësve adekuatë sipas procedurave dhe ligjeve në fuqi.
Pas intervistimit të tyre, prokurori i shtetit ka lëshuar aktvendimin për ndalim për 24 orë.
Me aktvendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për autopsi në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.