Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri në ora 15:00 drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 18 729 qytetarë, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se deri në ora 15:00 kanë votuar 32.30 për qind e qytetarëve.
“Ndërsa pjesmarrja e votuesve deri rreth orës 15:00 ka qenë 18 729 (32.30%) me të drejtë vote 57 mijë e 983 sa është numri i përgjithshëm i tyre”.
“Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 deri në të njëjtën kohë kishin votuar 17 mijë e 544 votues apo 30.79%”.
Tutje Daka ka thënë se disa nga komisionerët kanë pas paqartësi lidhur me dokumentet e indetifikimit të cilat janë lejuar në këto zgjedhje.
Ndërsa ka sqaruar se nga KQZ-ja komisionerët kanë marrë njoftimet e nevojshme në lidhje me dokumentet që duhet shfrytëzuar për të votuar.
“Gjithashtu kemi pasur disa raportime se komisionerët në disa vendvotime kanë pasur paqartësi lidhur me dokumentet e identifikimit të cilat janë lejuar në këto zgjedhje, megjithatë nga KQZ kanë marr sqarime të nevojshme që dokumentet valide janë ato të Kosovës kështu që nuk kemi tani parregullësi”.
“Mirëpo nëse kane votuar me dokumente të Serbisë, nëse janë perosnat e njëjtë në listë të votuesve, do të vlerësohen, ndërsa nëse nuk janë në listë të votuesve, nuk janë lejuar të votojnë. Ka pas raste që janë paraqit me dokument të Serbisë, por nuk ka qenë në listë të votuesve dhe nuk është lejuar”.
Kurse deri në ora 11:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 16.14% e qytetarëve me të drejtë vote.
Gjatë ditës KQZ- ja ka njoftuar se të gjitha 87 vendvotimet janë hapur me kohë dhe nuk është raportuar për parregullësi.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 57 mijë e 983 persona apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.
Në Leposaviq kanë të drejtë vote 18 mijë e 164 votues; 18 qendra të votimit; 31 vendvotime; në Zubin Potok: 8 mijë e 535 votues; 12 qendra të votimit; 16 vendvotime; në Zveçan: 9 mijë e 229 votues; 7 qendra të votimit; 13 vendvotime dhe në Mitrovicë e veriut: 22 mijë e 055 votues; 7 qendra të votimit; 27 vendvotime.
KQZ-ja ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër organizata joqeveritare vendore dhe 15 medie.
Gjithashtu KQZ-ja ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, raporton EO.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shpallur zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.