Ditë më parë një kompani gjermane u shfaq në qytetin e Prizrenit, e cila kërkonte 2 mijë punëtorë për punë në Gjermani. Pas publikimit të fotografive në media në të cilat shihej një numër marramendës i qytetarëve që ishin të interesuar për aplikim punësimi në Gjermani, u vu në pikëpyetje veprimtaria e saj.
Ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, cili tha se kompania po hetohej nga organet e drejtësisë, mirëpo, nuk u tha diçka më shumë se a kanë filluar hetimet.
Lajmi.net ka kontaktuar me Prokurorinë e Prizrenit, për të pyetur nëse kanë filluar hetimet për rastin në fjalë. Nga atje thonë se janë nisur veprimet ligjore për të siguruar prova dhe informacione të nevojshme nëse janë mashtruar qytetarët e Kosovë.
“Duke u bazuar në kërkesën dhe në pyetjet tuaja, lidhur me kompaninë B.S.B. “Aviation “, e cila ka ardhur në Kosovë dhe u jep qytetarëve mundësi për punësim në kompaninë O.B.M “Aviation” në Gjermani, Prokuroria Themelore në Prizren, ju bënë me dije se është duke ndërmarrë veprime ligjore për të siguruar provat dhe informacionet e nevojshme, nëse është kryer apo po kryhet ndonjë vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë së Prizrenit.
Kujtojmë se në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, kompania “BSB Aviation” është regjistruar në formën Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK), me kapital prej vetëm 1,000 euro, ndërsa pronar figuron të jetë një person i quajtur Bujar Berisha. Regjistrimi i saj si kompani në ARBK ishte bërë më 23 tetor të këtij viti.
Lajmi.net prej ditës së mërkurë ka provuar të kontaktojë pronarin e kësaj kompanie, Bujar Gashi, por telefoni i tij del të jetë i ndalur.