Të dhënat paraprake të lëshuara nga HMO Maccabi, agjencia e dytë kryesore e sigurimeve në Izrael, tregojnë se më pak se 0,01 përqind, ose vetëm 20 nga 128,600 njerëzit që morën të dyja dozat e vaksinës Pfizer, u infektuan me koronavirus pas pak më shumë se një jave.
Izraeli aktualisht është ndër udhëheqësit në fushatën e shpejtë të vaksinimit kundër koronavirusit. Qytetarët filluan të marrin dozat e para më 19 dhjetor.
Çdo javë, izraelitët i dërgojnë informacione Pfizer në lidhje me fushatën e vaksinimit të popullatës, në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit që mund të ndihmojë vendet e tjera të rregullojnë mënyrat e tyre dhe ritmin e vaksinimit.
Ekspertët nga HMO Maccabi thanë se këto janë të dhëna paraprake, dhe se numrat janë inkurajues.
Më shumë se 2.6 milionë izraelitë kanë marrë dozën e parë të vaksinës deri më tani
Nga 20 persona të infektuar, gjysma e tyre vuanin nga sëmundje kronike. Të gjithë shfaqën vetëm simptoma të lehta, të tilla si dhimbje koke, kollë, dobësi e përgjithshme dhe lodhje, por asnjëri nga të vaksinuarit nuk u shtrua në spital ose kishte temperaturë më të lartë se 38.5 gradë.
Anat Eka Zohar, drejtor i Departamentit të Informacionit dhe Shëndetit Dixhital në HMO Maccabi, tha se shërbimi do të vazhdojë të monitorojë të njëjtët pacientë për të përcaktuar nëse ata ende kanë vetëm simptoma të lehta ose nëse kanë komplikime.
Më shumë se 2.6 milionë izraelitë kanë marrë dozën e parë të vaksinës deri më tani, dhe rreth 1.2 milion janë vaksinuar me të dyja dozat.
Autoritetet izraelite raportojnë rreth 600,000 raste me koronavirus dhe 4,478 vdekje që nga fillimi i pandemisë.