Xhirime spektakulare me dron të autobusëve të verdhë janë bërë në fund të dhjetorit të vitit 2016, kur 15 autobusë të rinj të Trafikut Urban, kompania çeke IVECO i solli në Prishtinë. Një javë më vonë erdhën edhe 15 të tjerë. Por, prej atëherë, flota me autobusë nuk është kompletuar. Edhe 21 autobusë të tjerë nuk kanë ardhur dhe aktualisht po qëndrojnë të parkuar në hapësirën e kompanisë çeke.
I tërë kontingjenti, sipas marrëveshjes me IVECO-n, do të duhej të kompletohej në prill të vitit të kaluar. Por, kjo nuk ka ndodhur, ngase BERZH-i e ka kushtëzuar ardhjen e autobusëve me rinovimin e garazheve, për çka kjo bankë ka ndarë një grant prej 800 mijë eurosh, shkruan sot Koha Ditore.
Punimet në ndërtimin e garazheve janë ndërprere prej tre muajsh, ngase Komuna e Prishtinës ia ka shkëputur kontratën operatorit me arsyetimin se ka shkelur të gjitha afatet kohore. Ato kanë nisur para më shumë se 460 ditësh dhe është dashur të përfundojnë për 60 ditë, ndërsa ato të kontratës shtesë brenda 30 ditësh. Atëkohë ishte thënë se aty janë kryer 85-90% të punëve.