21 dikastere, shtohet Ministria për Inovacion dhe Ndërmarrësi

Prishtinë | 09 Sht 2017 | 10:26 | Nga

Partia më e madhe e koalicionit, PDK-ja, në Qeverinë e ardhshme do t’i drejtojë gjashtë ministri, atë të Financave, të Shëndetësisë, të Kulturës, të Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Integrimeve, të Drejtësisë dhe Ministrinë e Inovacionit e Ndërmarrësisë. Kjo e fundit do të jetë një dikaster i ri, i cili nuk ka qenë asnjëherë gjatë qeverisjeve të kaluara në Kosovë, shkruan “Zeri.info”.

Pavarësisht zotimeve të përfaqësuesve të PAN-it se emrat e ministrave do të publikohen shumë shpejt, i nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, njëherësh lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së djeshme ka thënë se ende nuk e ka një listë të plotë të ministrave të rinj.

“Është traditë që kur e thërret seancën me kërkesë të dorëzohet edhe një prezantim i qëllimit qeverisës dhe i kabinetin qeveritar, ende nuk i kam të gjithë emrat”, deklaroi Haradinaj.

Ndërkohë, AAK-ja pos postit të kryeministrit do t’i marrë edhe dy ministri, atë të Infrastrukturës (Pal Lekaj) dhe atë të Forcës së Sigurisë, të cilën do ta drejtojë Rrustem Berisha.

Ndërkohë Nisma për Kosovën do t’i drejtojë tri ministri, atë të Tregtisë dhe Industrisë, të Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kurse lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, do të jetë drejtues i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kështu ka njoftuar paraardhësi i tij, Enver Hoxhaj, i cili në qeverisjen e kaluar pati udhëhequr me këtë dikaster.

“I dëshirojmë z. Pacollit sukses në këtë funksion”, deklaroi gjatë ditës së djeshme Hoxhaj.

Ndërkohë, AKR-ja pritet t’i udhëheqë edhe tri dikastere të tjera, Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të cilën pretendohet se do ta drejtojë Flamur Sefaj, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (Valdrin Lluka), si dhe Ministrinë e Ambientit (Albena Reshitaj).

Kurse “Lista Rugova” pritet ta ketë Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në krye të së cilës do të jetë ish-ministri i Ambientit, Dardan Gashi. Nga ana tjetër, Lista Serbe këtë herë ia ka dalë t’i marrë gjithsej tri ministri.

Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal do ta udhëheqë Ivan Teodosijeviq, ministër për Kthim dhe Komunitete do të jetë Dalibor Jevtiq, ndërsa ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë Nenad Rikallo. Ndërkaq komunitetet joserbe do të udhëheqin me dy dikasteret tjera, atë të Administratës Publike dhe një ministër pa portofol.

Të ngjashme