Gjykata Themelore e Prizrenit e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar më 22 muaj burg, zyrtarin e Komunës së Mamushës me inicialet M.S, pasi i njëjti në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile ka nxjerrë dokumente të falsifikuara për të mundësuar fitimin e shtetësisë për 124 persona.
Këtë veprimtari M.S e ka zhvilluar nga data 20 janar 2021 deri në 5 janar 2024.
“Të akuzuarit i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo në shërbim publik, dhe atë në kohëzgjatje prej 5 vitesh, pas përfundimit të vuajtjes së dënimit me burgim. Ky vendim është marrë në kuptim të nenit 62 par. 3 të KPRK-së”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Gjithashtu është urdhëruar edhe anulimi i plotë i veprimeve juridike kundërligjore për 124 personat të cilët janë regjistruar kundërligjshëm.