25-vjetori i masakrës së Studimes – Krerët e shtetit kërkojnë drejtësi e bëhet thirrje për unitet

Prishtinë | 02 Maj 2024 | 13:08 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Vushtrrisë të enjten organizoi Akademi përkujtimore në përvjetorin e masakrës së Studimes, ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e shumë familjarë të dëshmorëve të rënë për liri, qytetarë nga e gjithë Kosova, etj., raporton Ekonomia Online.

Akademia filloi me një minutë heshtje në nderim të të rënëve në masakrën e Studimes.

Presidentja Vjosa Osmani, tha se masakrat e kryera nga Serbia janë dëshmi e fuqishme se Serbia ka kryer krime në Kosovë, kurse Kosova ka qenë viktimë.

“Jemi sërish këtu për t’i përkujtuar 116 civilë. Fëmijë e gra shtatzëna, makineria serbe i vrau brenda dy orëve vetëm se ishin shqiptarë. Si shtet e si komb ne ende duhet të përballemi me plagë të hapura dhe dhimbje të përballueshme. Njësoj si në Studime qytetarët kanë përkujtuar edhe shumë të rënë të tjerë e që janë dëshmi e fuqishme e të drejtës sonë dhe konfirmimit të faktit se Kosova ishte viktimë, ndërsa Serbia shoviniste”, tha Osmani.

“Këtë të vërtetë do ta mbrojmë kudo e kurdo, sepse lufta jonë ishte e drejtë për mbrojtjen e shtëpisë sonë siç bëri secili hero, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Jemi në përkrahje të familjarëve të dëshmorëve për t’ju siguruar drejtësi. 2 maji ishte i kobshëm, Serbia ekzekutoi shqiptarë nga gjakftohtësia. Liria nuk dhurohet por fitohet me sakrificë, Studimja është ringritur përderisa banorët me drejtësi shikojnë nga e ardhmja dhe punojnë për Kosovën. Studimja dhe e gjithë Kosova e mbajnë dhimbjen e përbashkët”, ka thënë më tej presidentja Osmani.

Ndërsa kryeministri, Albin Kurti, tha se numri i masakrave është dëshmi e karakterit gjenocidal serb dhe se vrasjet janë kryer nga ushtria e rregullt serbe.

“Krahas sakrificës së të rënëve e çmojmë qëndresën e popullit. I përulemi popullit të Kosovës që nuk iu përkul kurrë Serbisë. Vrasjet janë kryer nga ushtria e rregullt serbe. Dëshmitarët thonë, duke i dëgjuar në radio-lidhje thoshin se “pak është”, sa janë vrarë. Këta muaj u përkushtohemi viktimave të masakrës së Izbicës, familjes Berisha, e Korenicës”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri shtoi se i vetmi kusht për paqe është drejtësia për viktimat.

“Numri i masakrave është dëshmi e karakterit gjenocidal serb. Krimet kanë ndodhur para një çerek shekulli, kemi mungesë të dënimit për kriminelët serb, duhet drejtësi për viktimat përballë terrorizimit shtetëror. Drejtësia për viktimat është kushti i vetëm për paqe”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në një fjalë rasti, tha se 25 vite më parë ky vend është larë me gjak e që ky gjak ia solli lirinë Kosovës.

“Për të gjithë që na ndihmuar për lirinë dhe pavarësinë u jemi mirënjohës, miqve dhe aleatëve. Derisa sot po përkujtojmë Masakrën, kriminelët enden të lirë. Sot jemi me ju sepse ky gjak u derdh për liri dhe ky vend është i të gjithëve”, tha Idrizi.

“Ne si kem rendet të flejmë dhe të kotemi sepse e kemi hasmin kojshi. Këtë na e rikujton edhe shtatori i vitit të kaluar kur bandat serbe na sulmuan dhe ra dëshmor heroi, Afrim Bunjaku”,tha Idrizi.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se Maskara e Studimes është dëshmia e gjallë e asaj çka ka kaluar populli i Kosovës për liri.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se deri më tani kemi bërë shumë si shtet për ndërtimin e demokracisë por ka edhe shumë për të bërë.

“Pas lirisë e kishim demokracinë, kemi bërë më të mirën për me ndërtu demokracinë. Kishim pavarësinë si destinacion, e kemi arritur. Kjo është që i nderon të gjithë martirët e rënë për liri, destinscioni ynë është NATO. Shoh dobësi dhe shumë punë në këtë rrugë”, tha Haradinaj.

Të ngjashme