Punëtorët shëndetësor të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe të Urgjencës, parakaluan të premten në sheshet kryesore të Prishtinës, për nderë të 25-vjetori të hyrjes në institucionet shëndetësore, raporton Ekonomia Online.
25 vjet më parë, ata ishin rikthyer në vendet e punës pas largimit me dhunë në kohën e regjimit të Millosheviqit.
Të veshur me uniformë, stafi shëndetësor i prirë nga udhëheqësit e shëndetësisë në Prishtinë, u mirëpritën nga fëmijët me buqeta me lule në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë ndër vite.
21 Qershorin e konsideron festë për Prishtinën, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi. Ai për Ekonomia Online, tha se 25 vjet më parë, këta profesionistë ishin dëbuar me dhunë.
“Data 21 qershori është dita primare e Komunës së Prishtinës. Duke marrë parasysh se ka filluar përmirësimet e infrastrukturës, rritjen e cilësisë së shërbimeve, rritjen e ndryshimeve të cilësisë kanë ndryshuar prej vitit në vit dhe prej kohës në kohë fillimet kanë qenë të vështira. Janë 25 vite që kanë dhënë kontribut të madh për mjekësinë në Kosovë. Këtë ditë ta shënojmë si ditë feste pas dëbimit me dhunë. Në vazhdimësi ka pasur përmirësime në institucione”, tha Gashi.