26 vjeçari nga Kosova arrestohet në Shëngjin, policia i gjeti drogë në çantë

Prishtinë | 09 Gus 2021 | 11:06 | Nga Ekonomia Online

Një pushues kosovar është arrestuar sot në Shëngjin pasi iu gjet drogë në çantë gjatë kontrollit të makinës, ku 26-vjeçari ishte pasagjer.

Sipas policisë, materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

“Vihet në pranga shtetasi E. B., 26 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Arrestimi i tij u bë pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Lapidarit”, Shëngjin, forca e posaçme “Shqiponja” gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin në të cilin ky shtetas ishte pasagjer, në çantën e tij ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa”, shkruan policia.

Njoftimi i plotë i Policisë Lezhë:

Vijon për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve, arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 26 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Arrestimi i tij u bë pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Lapidarit”, Shëngjin, forca e posaçme “Shqiponja” gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin në të cilin ky shtetas ishte pasagjer, në çantën e tij ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin A. Ll., 31 vjeç, banues Rreth i Epërm, Mirditë, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Gjithashtu, specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. T., 45 vjeç, i dënuar më parë me 21 vite burg për vrasje, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj vëllait të tij, shtetasit R. T., 32 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. D., 27 vjeç, banues në Lezhë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në Kune, Shëngjin, duke drejtuar automjetin tip “Land Rover”, në gjendje të dehur. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Të ngjashme