27 vjet pas luftës, fati i 1.579 personave të zhdukur ende i pazbardhur, bëhet thirrje për më shumë përgjegjësi

Prishtinë | 31 Gus 2026 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, fati i mbi 1,500 personave të zhdukur vazhdon të mbetet i pazbardhur, raporton Ekonomia Online.

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, familjarë, institucione dhe organizata të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për më shumë përgjegjësi, transparencë dhe bashkëpunim institucional, në mënyrë që të zbardhet e vërteta për fatin e të pagjeturve dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Pikërisht për këtë ditë Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe Qendra Burimore për Personat e Zhdukur kanë organizuar diskutim publik.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka thënë se kjo ditë nuk është vetëm ditë përkujtimi, por edhe thirrje për veprim, më shumë përgjegjësi institucionale, bashkëpunim më të mirë dhe angazhim të vazhdueshëm në sigurimin e informacioneve që mund të çojnë në zbulimin e lokacioneve të varrezave, gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore, gjetjen e të vërtetës mbi atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe dhënien para drejtësisë të përgjegjësve.

“Edhe sot shumë familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë në pritje dhe pasiguri. Për këtë arsye, çështja e personave të zhdukur nuk duhet të trajtohet vetëm si një çështje humanitare, për të cilën ne edhe kemi kërkuar që të trajtohet si e tillë, por njëkohësisht ajo është edhe çështje e së drejtës për në drejtësi, për të vërtetën edhe për detyrimin e institucioneve për t’u dhënë përgjigje familjarëve”, ka thënë Blakaj.

Ai ka thënë se takimi synon të ofrojë informacione të drejtpërdrejta për zhvillimet e fundit në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, si dhe të krijojë hapësirë që familjarët t’u drejtojnë pyetje përfaqësuesve të institucioneve kompetente për këtë çështje.

Boguslaë Gertruda, udhëheqës në detyrë i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se kjo ngjarje bart rëndësi të thellë, pasi nuk është vetëm moment kujtese për personat e zhdukur dhe solidarizimi me familjet e tyre, por edhe mundësi për t’u siguruar që e kaluara të mos zbehet në heshtje dhe për të reflektuar mbi veprimet e mëtejshme të nevojshme për zbardhjen e fatit të të gjithë të zhdukurve.

“Në këtë drejtim, roli i organizatave të shoqërisë civile dhe i të gjithë të tjerëve që punojnë në ballafaqimin me të kaluarën, veçanërisht me trashëgiminë e luftës së vitit 1999, është thelbësor. Ato janë rojet e së vërtetës, rrëfimtarët e tregimeve të patreguara dhe zërat që sigurojnë se ngjarjet e së kaluarës as nuk harrohen dhe as nuk tjetërsohen”, ka thënë Gertruda.

Ndërsa, Christoph Fuchs, Charge d’Affaires a.i. of Sëitzerland, ka thënë se çështja e personave të pagjetur mbetet një nga trashëgimitë më të dhimbshme të konfliktit në Kosovë.

“Sot jemi mbledhur këtu me ju, familjet e personave të pagjetur, për të kujtuar më të dashurit tuaj dhe për të njohur rrugëtimin e gjatë dhe të dhimbshëm që keni kaluar. Çështja e personave të pagjetur mbetet një nga trashëgimitë më të dhimbshme të konfliktit në Kosovë. Më shumë se dy dekada pas konfliktit, 1,579 persona mbeten ende të pagjetur”, ka thënë Fuchs.

Sipas tij, pas këtyre shifrave fshihen tregime, familje dhe njerëz të panumërt që vazhdojnë të jetojnë me pasiguri.

“Për ju, familjarët, kjo nuk është thjesht një numër apo një çështje historike, është diçka personale. Bëhet fjalë për një person të dashur, fati i të cilit mbetet i paditur. Kalimi i kohës nuk jua heq të drejtën për të ditur se çfarë ka ndodhur. Pas kaq shumë vitesh…”, ka thënë ai.

Kurse, Florim Elshani nga Policia e Kosovës – Drejtoria për Krime Lufte, se sektori i kërkimit të personave të zhdukur ditët e fundit ka qenë i angazhuar kryesisht në zonën e Zubin Potokut, përkatësisht në fshatrat Cirkulja, Jabukë, Kalludër dhe Zhagull.

“Me këtë rast, kemi hasur në tri lokacione në të cilat kanë rezultuar pozitive me gjetje eshtrore, dhe prej të cilave kemi tërhequr minimumin e mbetjeve eshtrore të 11 trupave, të cilat janë dorëzuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jemi në… këto trupa, sipas antropologut mjekoligjor në Anazorë, kanë rezultuar që janë me prejardhje njerëzore dhe janë me interes forenzik, që do të thotë se i përkasin luftës së fundit dhe të njëjtit i nënshtrohen ekzaminimeve mjekoligjore dhe ekzaminimeve të tjera të cilat janë për krahasim me ADN”, ka thënë Elshani.

Ndërsa, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ka thënë se më 28 korrik kanë filluar punimet në lokacionin në Kalludër të Vogël, ku kanë filluar vlerësimet gërmuese dhe procesi i çvarrimit.

“Në të njëjtën kohë, derisa hetimet nga ana e policisë kanë vazhduar paralelisht, janë zhvilluar edhe dy lokacione të reja, të cilat pastaj kanë kërkuar që të adresohen menjëherë, qoftë paralelisht me lokacionin e parë, qoftë menjëherë pasi është kryer edhe lokacioni i parë”, ka thënë Haliti.

Ai ka thënë se Instituti i Mjekësisë Ligjore ka pasur rolin kryesor në procesin e gërmimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore, me përkrahjen e komponentës së EULEX-it dhe ekipit të mjekësisë ligjore të EULEX-it, i cili funksionon në kuadër të IML-së.

“Kemi punuar bashkarisht në këtë proces të gërmimit dhe çvarrimit të këtyre mbetjeve mortore. Tani është me rëndësi me thënë që faza e parë ka qenë pra gërmimi dhe çvarrimi, dhe është fazë shumë me rëndësi sepse është shumë me rëndësi që mbetjet mortore…”, ka thënë Haliti.

E, Ibrahim Makolli nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur ka thënë se shënimi i përvjetorëve të tillë, siç është shënimi i Ditës së të Zhdukurve, i vë të gjithë të reflektojnë se çfarë është arritur, por edhe cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

“Padyshim se shënimet e përvjetorëve të tillë siç është shënimi i i i Konventës ose Ditës së të Zhdukurve na bën të reflektojmë pak se çfarë është arritur, por po ashtu edhe cilat do të jenë hapat e mëtutjeshëm në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, që fatkeqësisht në Kosovë edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës përballemi me mbi 1500 persona të zhdukur”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, në takime të tilla familjarët vazhdimisht kërkojnë që të kenë qasje të plotë në të gjitha informatat të cilat institucionet mund t’i kenë në funksion të zbardhjes së fatit të më të dashurve të tyre.

“Padyshim, nëse flasim në në aspektin e përgjithshëm, e drejta për të ditur nga ana e familjarëve, sepse edhe Konventa e parasheh jashtëzakonisht qartë e të drejtën e familjarëve për t’u informuar, është shumë e vërtetë që jo gjithmonë familjarët kanë qasje në informata të mjaftueshme dhe të bollshme për këtë e gjithë ecurinë e procesit”, ka thënë Makolli.

Ai ka shtuar se kjo ka ndikuar që familjarët në një formë ose në një tjetër të humbin shpresat sa i përket angazhimeve dhe se çështjen do ta ndante në tri pjesë: të drejtën për të ditur nga ana e familjarëve, angazhimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Të ngjashme