Në të gjithë botën numri i të prekurve nga koronavirusi i ka tejkaluar të 40 milionë rastet, ndërsa vdekjet kanë arritur në më shumë se 1.1 milionë.
SHBA-ja vazhdon të kenë numrin më të lartë të rasteve me COVID-19, me 8.1 milionë dhe rreth 220 mijë të vdekur.
Në disa qytete në Itali, Francë e Britani po vendosen kufizime të reja për të zbutur një valë të dytë të virusit. Në Australi, qyteti i Melbournit po del ngadalë nga tre muaj bllokimesh të rrepta si pasojë e koronavirusit. Masat lehtësuese vijnë, ndërsa të dielën pati vetëm dy raste të reja me koronavirus dhe asnjë vdekje. Në kulmin e përhapjes së virusit në korrik, autoritetet raportonin për më shumë se 700 infeksione në ditë.
Ndërsa shkencëtarët në të gjithë botën janë në garë për të prodhuar një terapi trajtimi apo vaksinë kundër koronavirusit, firma bioteknologjike me bazë në SHBA, Vaxart, një prej shumë kompanive që po punojnë për vaksinën, ndodhet nën hetim federal me akuzën për ekzagjerim të shkallës së përfshirjes në një program prej disa miliarda dollarësh të administratës Trump mbi prodhimin e vaksinave. Programi, një partneritet publiko-privat, iniciuar nga administrata e presidentit Trump, synon të lehtësojë dhe përshpejtojë prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave apo terapive kundër COVID-19.
Në një njoftim për shtyp në qershor, kompania Vaxart pretendonte se vaksina e saj eksperimentale që merrej nga goja, ishte zgjedhur nga ky program, gjë që bëri që vlera e aksioneve të saj të rritej nga 3 në 17 dollarë. Një firmë investimesh që kontrollonte pjesërisht kompaninë Vaxart shiti të gjitha aksionet e saj, duke siguruar një fitim prej 200 milionë dollarësh.
Por qeveria zbuloi më vonë se Vaxart nuk kishte marrë asnjë fond nga programi dhe se vaksina e saj ishte përfshirë vetëm në një studim paraprak që lidhej me kafshët. Kompania po hetohet nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Bursës si dhe Departamenti i Drejtësisë si dhe po përballet gjithashtu me padi të shumta nga aksionarët. \ voa