46 mikro-biznese gjilanase përfitojnë grante

Prishtinë | 07 Sht 2016 | 15:59 | Nga

Komuna e Gjilanit në bashkëfinancim me organizatën gjermane “Help” ka nënshkruar sot kontratat me 46 mikro-biznese përfitues të granteve, të cilët janë kryesisht zejtarë të Gjilanit, në kuadër të projektit “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik përmes fuqizimit të mikro-bizneseve në Kosovë – Parandalimi i Migracionit dhe Stabilizimi”.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, ka thwnw se është një ditë rëndësishme për Gjilanin, sepse iniciativa “Help” në bashkëpunim me Komunën ka bërë të mundur që të përzgjidhen 46 përfitues, “në mënyrë që bizneset e tyre të funksionojnë suksesshëm dhe kjo ndikon direkt në gjenerimin e vendeve të reja të punës”.

Shqipe Breznica, koordinatore e projektit të organizatës gjermane “Help”, ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin dhe zotimin e participimit të Komunës së Gjilanit.

“Projekti ka në fokus zhvillimin ekonomik, përmes përkrahjes së mikrobizneseve me grante në formë të pajisjeve në shumë prej 2 mijë eurosh. Nga 233 aplikacione, janë përzgjedhur 46 përfitues dhe mund të them që numri i granteve që ne japim është i vogël krahasuar me kërkesat. Por, besoj shumë që Komuna e Gjilanit do t’i marrë për bazë këtë. Ju informoj se deri në fund të vitit ne duhet të përfundojmë me shpërndarjen e pajisjeve. I uroj shumë suksese bizneseve përfituese”, ka deklaruar Berznica.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik Agim Zuzaku, ka shprehur falënderim për organizatën gjermane Help për bashkëpunim të mirë, duke shfaqur shpresën që “kjo energji të na përcjellë edhe më tutje, me projektet të ngjashme të cilat po ndihmojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik lokal”.

Projekti financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e Republikës së Kosovës dhe me participim të Komunës së Gjilanit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme