465 fëmijë janë zhvarrosur nga varret e luftës në Bosnjë

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 08:46 | Nga

Një total prej 456 nga 25,500 njerëzish të zhvarrosur nga varret e luftës deri më tani në Bosnjë dhe Hercegovinë ishin fëmijë të moshës 17 vjeçare dhe më pak, tha për BIRN Instituti për Persona të Zhdukur.

Ndër ta kishte nëntë foshnja që ishin më pak se një vjeç në kohën kur kanë vdekur. “Amila Dzaferagiç ishte tre muajshe kur u vra së bashku me nënën e saj Besima.

Eshtrat u zhvarrosën nga varri masiv Laniste në zonën e Kljucit. Nurka Carkiç dhe foshnja e saj e porsalindur u zhvarrosën nga një varr i përbashkët në Drvar,” tha zëdhënësja e Institutit për Persona të Zhdukur Lejla Cengiç.

Cengiç tha se në disa varre janë gjetur eshtra nga familje të tëra. Ajo tha se një imam i quajtur Hasib Ramiç dhe familja e tij, përfshirë edhe gruan e tij Sefika dhe katër fëmijët e tyre, u zhvarrosën nga varri masiv Ljubina në komunën e Vogoscës.

“Muhamed Ramiç ishte 13 vjeç, Meliha ishte nëntë vjeçe, Ahmedi ishte katër vjeç dhe Amina ishte një muajshe. Amina është viktima më e re që është gjendur në territorin e Sarajevës. Imami Ramiç dhe familja e tij u vranë në zonën e Vogoscës në vitin 1993,” tha Cengiç.

Viktima më e re që është gjetur ishte një foshnjë që kishte vetëm një ditë që kishte lindur, anëtare e familjes Muhiç, e cila u varros më pas në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës në Potocari. Sadik Selimoviç, një hetues në Institutin për Personat e Zhdukur, tha se varr masiv Suha në zonën e Bratunacit, nga i cili u zhvarrosën 38 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, ishte një nga më të vështirët ku kishte punuar organizata.

“Ne gjetëm një nënë dhe dy fëmijët e saj në një qese të zezë, si dhe shumë fëmijë të vegjël dhe Zekira Begiç, e cila ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë. Puna në atë varr më ka sëmurur, sepse e gjithë kjo ka ndikuar shumë tek unë,” tha Selimoviç.

Cengiç tha se eshtra fetusi ishin gjetur brenda trupit të nënës shtatzënë Zekira Begiç. “Ky nuk është rasti i vetëm që gjendet një nënë shtatzënë. Eshtrat e nënës shtatzënë Zemina Huseinoviç dhe një fetusi në barkun e saj u gjetën në fshatin Luka në zonën e Bratunacit,” tha ajo. Rreth 7,000 njerëz mbeten ende të zhdukur nga lufta që përfundoi në vitin 1995.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme