500,000 Vota? Arroganca dhe lakmia e LVV-së e kthejnë fitoren teknike në humbje morale

Prishtinë | 17 Dhj 2024 | 09:10 | Nga Shenoll Muharremi

Po na e lyp LVV 500,000 vota për zgjedhjet e 9 shkurtit. Mos janë pak djem? I fituan 438,335 vota në vitin 2021, në një kontekst jashtëzakonisht kompleks dhe të veçantë, me 50.28%. Por, duket se nuk po mjaftojnë. Lakmia ka shkatërruar jo vetëm parti e korporata globale, por edhe perandoritë sikur ajo Romake e Osmane që kanë synuar të rriten pafundësisht pa pasur mundësi të menaxhojnë vetën e tyre.

Ato vota të vitit 2021, ndoshta gjysmën e tyre, LVV i kanë fituar jo për programim e tyre, por si votë ndëshkuese për partitë e tjera, plus efekti i Vjosa Osmanit që nuk është më. LDK ra përtokë me vetëm 110,985 vota apo 12.73%, dhe PDK me 148,285 vota apo 17.01% nga ajo fortunë. Ajo situatë, ajo frymë, ai momentum, nuk ekziston më prej dy vitesh. Tashmë kemi një momentum dhe frymë thujase totalisht ndryshe.

LVV është rritur në opozitë, sepse të gjithë rriten kur janë në opozitë. Burimet janë të kufizuara, ndërsa nevojat janë maksimale. Partitë në pushtet konsumohen dhe amortizohen; ato në opozitë rriten. I ndodhi LDK-së në vitin 2007 kur fitoi PDK-ja, dhe të njëjtën gjë përjetuan të tjerët kur fitoi LVV-ja në 2021.

LVV ka qenë për katër vite vetë në pushtet. Kjo e ka ekspozuar, lodhur dhe amortizuar aq shumë, saqë tashmë LVV po mbush njerëzit e vet në borde dhe po e përdor diplomacinë për parti e zgjedhje. Xhipat e zinj janë bërë sikur të pushteteve më herët, ndërsa liderët e tyre nuk po dalin në media e debate. Ekonomia nuk ka ndryshuar nga trendet më herët; nuk ka pasur inovacion në asnjë fushë të qeverisjes.

E tash, kur të gjithë indikatorët sugjerojnë se LVV duhet të tkurret, të bjerë dhe të korrigjohet (mbase shëndetshëm), ata po tregojnë arrogancë dhe po kanë “guxim” e fytyrë të kërkojnë 500,000 vota?!

Po kërkojnë 500,000 vota, edhe pse ende nuk kanë prezantuar asnjë program apo projekt për çfarë i duan këto vota. I kërkojnë votat automatikisht, sikur ne kemi borxh ndaj tyre. Kjo nuk është racionale, e as e mençur.

Por çfarë do të sjellë kjo “strategji” kur të zgjohemi më 10 shkurt dhe të shohim që jo vetëm që nuk i kanë fituar 500,000 vota, por mund të jenë tkurrur në 300,000 vota? Kjo do ta kthente LVV-në nga një fituese natyrale në një humbëse morale të zgjedhjeve. Ndërkohë, opozita, e cila pritet të rritet, edhe pse nuk do të dalë e para (e ndarë kështu se së bashku po), do të duket si fituese. LDK dhe PDK do të rriten, ndoshta me një mesatare prej 50%, njëra më shumë e tjetra më pak, varësisht nga baza e tyre e vitit 2021.

Kjo qasje duket si një “befasi” elektorale, ku strategjistët e LVV-së vazhdimisht po rrisin pritshmëritë për rezultatet e zgjedhjeve 2025. Kjo sigurisht është një risk i madh dhe mund t’ju kushtojë më 10 shkurt, kur thuajse çdo rezultat që del do ta bëjë LVV-në të duket si një humbëse morale e zgjedhjeve. Pse? Sepse nuk ka arritur pritshmëritë dhe projekcionet e krijuara as për së afërmi. Del e para, por është humbëse morale! Sa ironike.

Strategët e LVV-së duhet të kuptojnë se, nëse je në pushtet në një vend me mundësi të vogla e nevoja të mëdha; nëse qeveris një vend me GDP per capita më të ulët në rajon e mbase në Europë; dhe nëse qeveris gjatë në periudha krizash, përfshirë krizat e sigurisë dhe veçanërisht inflacionin dhe çmimet historikisht më të larta në dekada, ku fuqia blerëse bie për tokë, ti nuk do të rritesh. Përkundrazi.

Andaj, kjo fushatë “500k vota për VV më 9 shkurt” duket e çuditshme nga aspekti i strategjisë elektorale, dhe ky ekip strategjik po e humb arsyen. Po shpërfaq arrogancë, duke marrë parasysh gjendjen e Kosovës dhe trendet politike e elektorale. Apo ndoshta e kanë humbur kontaktin me realitetin tashme? Nuk e di.

Kur 500,000 vota përkthehen në 300,000 vota në zgjedhje, shumë mund të shokohen dhe një fitore e mirë në zgjedhje mund të kthehet në një ditë zie shokuese. Ndoshta ekipi po e keqlexon dhe keqkupton situatën.

Mund të jenë veprime paniku, por në asnjë mënyrë nuk duken racionale. Në vend se të tregojë arrogancë, LVV duhet të menaxhojë rënien e saj natyrale dhe të bëhet gati ose të qeverisë me një partner tjetër të madh, ose të shkojë në opozitë. E këto skenarë nuk sugjerojnë që LVV i fiton 500,000 vota. Më mirë planifiko 300,000 vota, dhe ndoshta dalin 320,000, duke dalë si fitues. Përndryshe, ky projektim vetëm sa e cementon LVV-në si humbëse morale të zgjedhjeve të 2025.

Të ngjashme