51 biznese përfitojnë nga skema e granteve për industrinë kreative, pritet hapja e 125 vendeve të punës

Prishtinë | 18 Mar 2026 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë ka nënshkruar sot marrëveshjet me ndërmarrjet përfituese nga “Skema e Granteve për Industrinë Kreative”.

Nga kjo marrëveshje është bërë e ditur se përfituese të granteve janë 51 biznese derisa thuhet se 125 vende të reja do të jenë të disponueshme, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), Mimoza Kusari -Lila tha se skema e granteve e lansuar ndikon edhe në mbështetjen ndaj ideve të reja dhe mundësive të reja për zhvillim.

“Është një kënaqësi për mua, si ministre tashmë një muaj e një javë në krye të ministrisë, të shënojmë një moment të rëndësishëm në industrinë kreative. Siç e dini, tash ministria që drejtoj unë, pjesë të saj e ka inovacionin, dhe me ligjin e ri do të përfshijmë edhe industrinë kreative. Skema e granteve e lansuar në kuadër të projektit nuk është vetëm një mekanizëm financiar, por edhe një dëshmi e përkushtimit të qeverisë për të mbështetur idetë e reja, ku kreativiteti, inovacioni dhe teknologjitë ndërthuren bashkë për të transformuar biznesin dhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillim dhe rritje”, tha ajo.

Kusari-Lila tha se shuma totale e kësaj marrëveshje është prej 1 milionë e 450 mijë eurove.

“Me një vlerë totale prej 1 milion e 450 mijë euro, kjo skemë përfaqëson një partneritet të fortë ndërkombëtar për të gjitha bizneset dhe i jep një shtysë sektorit privat. Përfituese janë 51 biznese nga skema e granteve e projektit, ku 45 prej tyre janë përfitues të grantit në vlerë prej 20 mijë euro, ndërsa 5 përfitues të granteve në vlerë prej 35 mijë euro dhe një në vlerë prej 45 mijë euro, varësisht nga vlera dhe kapaciteti për të absorbuar grantin dhe për të realizuar projektet për të cilat kanë aplikuar”, theksoi ajo.

Ajo tregoi se nga kjo marrëveshje do të hapen 125 vende të reja të punës.

“Gjithashtu, nga 51 biznese, 38 janë nënshkruar herën e kaluar, ndërsa të tjerat janë nënshkruar sot. Është paraparë që të krijohen edhe 125 vende të reja pune, sipas projekteve të dorëzuara në ministrinë tonë”, shtoi Kusari-Lila.

Kurse, ambasadori i Dukatit të Madh të Luksemburgut, Eric Dietz ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është dëshmi konkrete e vizionit të përbashkët.

Sipas tij, industritë kreative, qoftë në dizajn, media, arte digjitale, zeje apo prodhim kulturor janë një shtytës i fuqishëm për zhvillimin ekonomik.

“Ne kemi ecur së bashku për të zhvilluar grante për inovacion, për të forcuar kapacitetet institucionale dhe për të avancuar politikat strategjike që janë thelbësore për mjedisin e industrisë dhe partneritetit në Kosovë. Sot, ceremonia e nënshkrimit është një dëshmi konkrete e vizionit tonë të përbashkët. Industritë kreative, qoftë në dizajn, media, arte digjitale, zeje apo prodhim kulturor janë një shtytës i fuqishëm për zhvillimin ekonomik. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm krijues, veçanërisht në mesin e popullsisë së saj të re, dhe Luksemburgu është krenar që kontribuon për të çliruar këto mundësi. Përveç ofrimit të financimit të drejtpërdrejtë, Luksemburgu, në bashkëpunim me UNDP-në, ka mbështetur zhvillimin e strategjisë kombëtare për ekonominë kreative. Gjithashtu, kemi kontribuar në transformimin e hapësirave publike në qendra kreative dhe kulturore, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, përfshirë renovimin e Bibliotekës “Sylejmani”, ka deklaruar Dietz.

Të ngjashme