645 mijë euro për kontestet gjyqësore të humbura në vitin 2017

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 10:52 | Nga

Mehmet Berisha, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, ka thënë se Komuna e Skenderajt ka hyrë në borxhe të detyrueshme që vijnë nga humbja e kontesteve gjyqësore. Sipas tij, këto borxhe kanë arritur në 645 mijë euro dhe duhet detyrimisht të paguhen gjatë këtij viti, shkruan sot “Zëri”.

Raporti i shpenzimit të buxhetit të Komunës së Skenderajt për vitin 2017 ka përplasur sërish këshilltarët komunalë të pozitës dhe të opozitës, ndonëse nuk dihet tashmë se cilët janë pozitë e cilët opozitë.

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Skenderajt, Albert Rexhepi, është dashur disa herë të dalë në foltore dhe të përballet me ata që kritikonin raportin për shpenzimin e buxhetit.

Ai u është kundërvënë edhe atyre këshilltarëve komunalë, të cilët kanë qenë pjesë e Kuvendin edhe në mandatin e kaluar e të cilët nuk kanë dhënë asnjëherë asnjë vërejtje në raportet 3-mujore që janë paraqitur në Kuvend dhe ato janë përkrahur unanimisht.

Për të sqaruar rreth projekteve që janë realizuar në vitin 2017 është përpjekur të sqarojë edhe Musaj Hajdari nga PDK-ja.

Hysni Mehani (LVV), tha se “Vetëvendosja” do ta dërgojë raportin në Prokurori, pasi në të fshihen manipulime të mëdha dhe keqpërdorim i parasë publike.

Ai u ka bërë thirrje këshilltarëve komunalë që të mos e votojnë raportin, i cili sipas shefit të Grupit të Këshilltarëve të PDK-së Albert Rexhepi vetëm duhet të përkrahet që të mundë të dorëzohet në Ministrinë e Financave.

Të ngjashme