“7 Artet” me projekt për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë

Prishtinë | 07 Dhj 2016 | 10:02 | Nga

Në kuadër të projektit “Zhvillimi i politikave kulturore në Komunën e Mitrovicës”, OJQ “7 Artet” ka organizua një debat në këtë temë, në të cilin përveç të tjerëve morën pjesë edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, Rrezarta Loxha-Vitaku, Valdete Idrizi, drejtuese e CIVIKOS-it etj.

Projekti synon të rrisë rolin e qytetarëve për të ditur , ruajtur dhe mbrojtur trashëgimin kulturore të Mitrovicës.

Drejtori i DKRS- Tafil Peci, tha se Mitrovica ka vende të bukura dhe objekte kulturore të cilat duhet t’i restaurojmë, t’i rregullojmë dhe ta ruajmë traditën kulturore.

“Drejtoria jonë nuk ka buxhet të mjaftueshëm për tu marrë me restaurimin e objekteve kulturore, të cilat i ka qyteti i Mitrovicës. Por ne organizojmë aktivitete të ndryshme dhe debate për njohjen e këtyre objekteve”, u shpreh ndër të tjera drejtori Peci.

Përfaqësuesi i OJQ-së GJEOMJEDISI, Vehbi Goxhuli, tha se duhet të krijohen grupe ekspertësh për të përcaktuar vlerën e objekteve dhe vlerën historike të tyre, në mënyrë që të kemi një raport mjedisor rajonal. Ai shtoj se debatet për trashëgimi kulturore janë të pakta dhe nuk ka informata të hollësishme në mënyrë që qytetarët të kenë njohuri për objektet kulturore që ka Mitrovica.

Hajrullah Mustafa, tha se duhet të ndërrohet qasja dhe të bëhet më tepër për të ngritur vlerat e trashëgimisë kulturore, ku u bënë 17 vite që pas luftës që nuk ka ndryshuar asgjë. Sipas tij, nuk ka përkrahje nga shteti dhe mungon infrastruktura ligjore dhe pavarësia e institucioneve nga politikat e përditshme, prandaj duhet të ndërmerren hapa të sigurt për të bërë të pamundurën për restaurimin e veprave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore.

Në vazhdim pati debat të frytshëm për shtëpinë e Xhafer Devës dhe Mullirin e Vjetër, ndërkohë që u tha se qytetarët janë shumë të interesuar të dinë emrin e saktë të Urës së Gurit (Ura e Vjetër me 9 harqe).

Këtyre pyetjeve të qytetarëve iu përgjigj drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Rrezarta Loxha-Vitaku, e cila tha që ka neglizhencë nga institucionet dhe drejtoritë përkatëse në këtë drejtim.

“Ne kemi dokumentacionet e rregullta për të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore dhe do të mundohemi të përfitojmë fondet për të bërë restaurimin e këtyre objekteve”, tha ajo.

dsc_0414-1

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme