Shtatë raste të reja me Covid-19 në Shqipëri, duke e çuar në total në 789 numrin e të prekurve.
”Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 171 persona të dyshuar me COVID-19 nga veriu në jug dhe vetëm në tre bashki kemi të prekur, ku përkatësisht në Tiranë kemi 5 persona që kanë rezultuar pozitivë, 1 rast në Krujë dhe 1 rast i importuar në Kukës i evidentuar në qendrën karantinë të këtij rajoni”, tha dr. Eugena Tomini, shefja e Inteligjencës Epidemike në ISHP.
Kalimi i zonave aktive në zona jo aktive për COVID19 ka zgjeruar hartën e të shëruarve në gjithë vendin.
Aktualisht janë 239 pacientë aktivë me COVID19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 31 pacientë (11.4%) dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive, transmeton OraNews.
Deri tani 31 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive, është si vijon:
Bashkia Rastet aktive
Tiranë 90
Shkodër 20
Krujë 89
Fier 1
Kurbin 24
Korçë 1
Elbasan 2
Kukës 5
Lezhë 1
Lushnje 1
Mirditë 2
Berat 2
Mat 1
Pavarësisht se nga e hëna do të ketë një lehtësim tjetër të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale.
Është shumë e rëndësishme të respektohen këto masa, pasi deri në momentin që nuk kemi një vaksinë apo trajtim të përcaktuar dhe për këtë vigjilenca duhet të jetë maksimale.
Të moshuarit apo dhe qytetarët me sëmundje kronike duhet të vazhdojnë të komunikojnë me mjekun e familjes për recetat me rimbursim, duke evituar sa më shumë të jetë e mundur kontaktet me institucionet shëndetësore, përveç rasteve kur është e domosdoshme.