Pas protestës në shesh, Hoti i pret në takim gastronomët

Prishtinë | 27 Kor 2020 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti është takuar sot me një delegacion të Shoqatës së Gastronomëve.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Hoti ka biseduar me gastronomët për gjendjen e këtij sektori të biznesit dhe vështirësitë me të cilat po përballen.

“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur në takim një delegacion të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, me të cilët ka biseduar për gjendjen e këtij sektori të biznesit dhe vështirësitë me të cilat po përballet në situatën aktuale të pandemisë COVID-19.

Pasi që është njoftuar nga delegacioni i gastronomëve për gjendjen e këtij sektori, kryeministri Hoti ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që t’i mbështesë të gjitha veprimtaritë ekonomike dhe bizneset në Kosovë, me qëllim që të tejkalohet situata e krijuar”, thuhet në njoftim.

Hoti sipas njoftimit për media ka theksuar se masat e Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike, si pjesë e programit qeverisës, do ta lehtësojnë përballimin e gjendjes së krijuar nga pandemia.

“Gjatë këtij takimi, u kërkua që gastronomia t’i respektojë me përpikëri masat e parapara ndaj COVID – 19, në mënyrë që mos rrezikohet shëndeti i klientëve”, bëhet e ditur.

Ky takim i Hotit me gastronomët vjen pas protestës që u mbajt sot në shesh të Prishtinës.

Të ngjashme