Në çdo 8 maj, kudo në botë përkujtohet Dita e Luftës kundër Talasemisë, kësaj sëmundjeje të shekullit XX dhe të shekullit XXI, që është përhapur shumë veçanërisht vitet e fundit në rruzullin tokësor.
Në këtë ditë bëhen të gjitha përpjekjet për të sensibilizuar sa është e mundur njerëzit që të dhurojnë gjak të sigurt për personat e prekur nga kjo sëmundje.
Federata Ndërkombëtare e Talasemisë (TIF), në të cilën përfshihen 91 shtete, lufton për të gjetur metoda të reja për trajtimin dhe kurimin e talasemikëve, pjesa me e madhe e të cilëve janë fëmijë, por edhe adoleshentë dhe të moshës madhore.
Përfaqësues të kësaj federate, megjithëse me një staf të vogël mjekësh dhe administrues, por me tepër me vullnetarë në vende të ndryshme të botës, janë përqendruar kryesisht, në disa pika si:
gjetja e indeve që mund të rrisin prodhimin e hemoglobinës në rruazat e kuqe, gjetjen e ilaçeve të reja, eliminuese të hekurit që të mund të merren dhe nga goja, transplantimi i palcës së kockës, apo i celulave bazë dhe terapia gjenike, për të zëvendësuar gjenet e talasemisë me gjene normale.
Talasemia është një nga sëmundjet gjenetike më të përhapura në botë. Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë që e mbështet TIF in dhe përkujton çdo vit në 8 maj luftën që bëhet kundër talasemisë, vlerëson se çdo vit lindin me tepër se 100 000 fëmijë të prekur nga kjo sëmundje.
Kjo më tepër në zonat e fshatit në botë, ku nuk ekziston as kujdesi mjekësor primar.
Talasemia është një çrregullim i trashëguar i gjakut.
Ajo shkakton anemi (pagjakësi) dhe ne rast se nuk mjekohet, zemra dhe organe të tjera në trup do të “mbarojnë” së funksionuari, si rezultat i mungesës së oksigjenit.
Transfuzioni i rregullt i gjakut është i vetmi mjekim i përshtatshëm deri tani për talaseminë.