Sot në Gjilan janë shpërndarë 80 certifikata për të rinjtë e kësaj komune, të cilët kanë ndjekur trajnimet ne fushën e ndërmarësisë, hartimin e projekteve, planeve të biznesit dhe lidershipit, të cilët janë financuar nga Qeveria e Turqisë.
Përkitazi me këtë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim koordinatorin për kulturë në Ministrinë e Kulturës në Presidencën e Turqisë, Nedim Asllan.
Haziri me këtë rast ka falënderuar shtetin turk për mundësinë që u ka dhënë të rinjve të Gjilanit për ndjekjen e këtyre trajnimeve, duke shtuar se kjo do të jetë një mundësi e mirë për hapjen e bizneseve të reja.
Ndërsa, nga ana e tij, Nedim Asllan tha se ky ka qenë një projekt shumë i suksesshëm, i cili tashmë u implemetua.
“Sot e kemi një përfundim të një projekti të suksesshëm mes dy shteteve tona, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë. Departamenti për Diasporë turk, vëllezërve tanë në Gjilan, u kemi mundësuar të rinjve të kësaj komune që të ndjekin trajnime për ndërmarrësi dhe hartimin e projekteve. Me organizatën Liza, e kemi realizuar projektin në përpikëri”, theksoi ai.
Ai është zotuar se edhe në të ardhmen si Qeveri e Turqisë do të jenë përkrahës të të rinjve të Gjilanit.