Deri më tani Trusti Pensional i Kosovës ka servisue mbi 32 mijë pensione me vlerë prej 85 milionë euro. Kështu u bë e ditur gjatë takimit të kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, dhe kryetarit të Bordit të Trustit Pensional të Kosovës, Ymer Havolli.
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) u informua lidhur me performancat e Fondit të Trustit Pensional të Kosovës, për strategjinë e investimeve të Fondit në funksion të arritjes pozitive të rritjes së mjeteve për këtë periudhë nëntëmujore të këtij viti, ku arrin rritja pozitive e mjeteve të kursimeve mbi 58 milionë euro.
Agim Shahini kryetar i AKB-së ftoi të gjitha bizneset dhe kontribuesit e këtij Trusti që të marrin informacione individuale për gjendjen e tyre financiare në Trust, njofton EkonomiaOnline.
Ai gjithashtu tha që Bordi i Trustit Pensional është një nga Bordet më profesionale në Kosovë. Sipas tij, nuk ka dyshime se investimet e tatimpaguesve kosovarë do të rriten në vazhdimësi.
Bordi i Trustit Pensional të Kosovës së bashku më AKB-në u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin dhe informimin e dyanshëm me qëllim të njoftimit lidhur me të arriturat e dy institucioneve me interes të përbashkët.