Alye Gunduz, një zonjë 93-vjeçare nga Turqia, u lirua nga një spital i Stambollit pasi u shërua nga Coronavirusi vetëm pas 10 ditëve të trajtimit.
Shërimi i saj nga sëmundja që po i vret kryesisht personat e moshuar ka ngjallur shpresë te stafi mjekësor i spitalit, të cilët po e luftojnë virusin që mund të godasë rëndë Turqinë.
“Kjo është shpresëdhënëse, sepse pacientët e kësaj moshe, që kanë sëmundje kronike, shumicën e kohës nuk mund të shërohen për shkak se janë më të rrezikuar nga Covid-19”, tha kryemjeku i këtij spitali, Zekayi Kutlubay.
“Një grua 93-vjeçare që del nga kujdesi intensiv e shëndoshë dhe e sigurt na frymëzon ne dhe pacientët e tjerë të moshës së saj që kanë Coronavirusi”, tha mjeku.
Zonja vuante nga shtypja e lartë e gjakut dhe ishte dërguar në spital më 31 mars pasi ankohej për temperaturë të lartë dhe dhimbje barku. Sidoqoftë, ajo u lirua nga spitali të premten, shkruan “Anadolu”.
“Të gjithëve u dëshiroj shërim të shpejtë”, tha gruaja e moshuar përderisa po ndihmohej nga nipi i saj për të ecur.
Turqia deri më tani i ka regjistruar mbi 47 mijë raste të Coronavirusit, duke u renditur në mesin e dhjetë vendeve me më së shumti të infektuar në botë. Atje janë konfirmuar mbi 1 mijë viktima dhe sëmundja është duke u përhapur shpejt.