94% e shqiptarëve nuk do ta përkrahnin fëmijën e tyre nëse do t’i përkiste komunitetit LGBTI

Prishtinë | 16 Maj 2020 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Urdhri i Psikologut në Shqipëri, vendosi sot të ndalojë terapinë e konvertimit që psikologët në vend aplikonin ndaj personave LGBTI, duke e bërë vendin tonë një ndër vendet e para në Europë ku terapi të tilla janë ndaluar. Ky vendim, merr një rëndësi të veçantë sidomos për adoleshentët LGBTI, prindërit e të cilëve shpesh i detyrojnë fëmijët e tyre të hyjnë në terapi konvertimi, me shpresën e ndryshimit të orientimit seksual apo identitetin gjinor.

Vendimi u mor pas një kërkese të Ambasadës PINK në Shqipëri, organizata kryesore për të drejtat LGBTI në vend, e cila punon për vendosjen e standarteve të reja dhe bashkëkohore në qasjen institucionale përkundrejt të drejtave LGBTI. Ambasada PINK, prej kohësh e ka parë me shqetësim përdorimin e terapisë së konvertimit edhe në Shqipëri, pasi efektet e saj kanë qënë tepër negative mbi shëndetin dhe mirëqenien emocionale të atyre që hyjnë në terapi.

Ndonëse raportimet për përdorimin e terapive të tilla në Shqipëri kanë qenë të vogla në numër, lejimi i tyre ka përbërë një shqetësim serioz sidomos për mirëqenien fizike dhe emocionale të të rinjve LGBTI. Terapia e Konvertimit është një terapi që përdoret nga psikologët dhe përfshin çdo përpjekje për të ndryshuar orientimin seksual të një personi, identitetin gjinor ose shprehjet e gjinisë. 

Të dhënat e vendeve të tjera tregojnë se personat që kanë kryer këtë terapi janë 8.4 herë më shumë të prirur për të kryer vetëvrasje; 5.9 herë më të ekspozuar ndaj niveleve të larta të depresionit; 3.4 herë më të prirur të përdorin substanca të paligjshme. 

Vendimi vjen në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë (IDAHOT), e cila festohet çdo 17 Maj në mbi 170 vende në Botë. Ai e vendos Urdhërin e Psikologut në Shqipëri, në grupin e institucioneve avangardë, jo vetëm në mbrojtje të të drejtave të njeriut të komunitetit LGBTI. Në Europë janë vetëm 5 vende që e kanë ndaluar me ligj zhvillimin e terapisë së konvertimit: Spanja, Zvicra, Malta, Britania e Madhe dhe Gjermania. Shqipëria tashmë është vendi i 6-të që aplikon ndalimin e terapisë së konvertimit. 

Pavarësisht se Shqipëria prej vitesh ka bërë përparime në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të komunitetit paragjykimet, diskriminim dhe dhuna në familje janë prezente në jetën e shumë personave LGBTI. Qëndrimet shoqërore ndaj komunitetit LGBT në Shqipëri janë përgjithësisht negative dhe ndër më të pafavorshmet në nivel Evropian. 

Disa të dhëna mbi komunitetin LGBTI në Shqipëri, bazuar në vëzhgimet e Gallup, NDI dhe Ambasadës PINK:

94% e shqiptarëve nuk do ta përkrahnin fëmijën e tyre nëse do të zbulonin se ai i përkiste komunitetit LGBTI; 

53 % e shqiptarëve besojnë se “homoseksualët dhe lezbiket nuk duhet të jenë të lirë të jetojnë jetën ashtu siç dëshirojnë; 

1 në 3 persona LGBTI, është viktimë e dhunës fizike në familje; 

66% e mësuesve shqiptarë heshtin përballë bulizmit në shkolla me bazë homofobinë dhe transfobinë; 

– 70 % e mësuesve në Shqipëri deklarojnë se nuk do t’i mbështesnin fëmijët e tyre nëse janë LGBTI; 

– 56% e shiptarëve mendojnë se një homoseksual nuk duhet të gëzojë poste publike; 

– 25 % e punonjësve të administratës shqiptare, mendojnë se personave LGBTI duhet të kenë shërbime veç personave të tjerë.

Të ngjashme