Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se synon t’ua bëjë të vështirë jetën njerëzve që refuzojnë vaksinimin në Francë.
“Me të vërtetë dua t’i bezdis dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë – deri në fund”, ka thënë ai për “Le Parisien”.
Por rivalët e tij politikë kanë thënë se gjuha e përdorur në këtë intervistë s’ka qenë e duhura për një president.
Komentet e Macronit vijnë pasi një projektligj për COVID-19 u shty. Projektligji, që do t’ua ndalonte një pjesë të konsiderueshme të jetës publike të pavaksinuarve, nuk doli në votim pas debatit të ashpër me opozitën e bashkuar.
Legjislacioni pritej të aprovohej këtë javë, por ai ka nervozuar kundërshtarët e vaksinës dhe disa deputetë francezë kanë thënë se kanë marrë kërcënime për jetë.
Në intervistën e së martës për “Le Parisien”, Macron ka thënë se nuk synon t’i detyrojë qytetarët të vaksinohen, por ka shtuar se shpreson që qytetarët të vaksinohen duke “ua limituar sa më shumë qasjen në jetën sociale”.
“Nuk do t’i dërgoj të pavaksinuarit në burg. Andaj duhet t’u tregojmë të gjithëve, nga 15 janari, nuk do të mund të shkoni në restorante. S’do të mund të shkoni për kafe, e as për teatër. Nuk do të mund të shkoni në kinema”, ka thënë ai.
Gjuha që ai ka përdorur ndaj të pavaksinuarve u konsiderua si e ashpër dhe jo e duhur.
Franca ka një prej shkallëve më të larta të Bashkimit Evropian për të vaksinuar. Më shumë se 90 për qind e të rriturve tashmë kanë marrë dy dozat e vaksinës anti-COVID. Për disa muaj ky shtet tashmë kërkon dëshminë e vaksinimit apo testin negativ për të dhenë qasje në organizime publike.
Të martën, Franca regjistroi 271 mijë e 686 raste të reja me COVID-19 – numri më i lartë që kur ka nisur pandemia.
Macroni ende s’ka njoftuar zyrtarisht se a do të synojë mandatin e dytë si president në zgjedhjet e prillit.