Një person ka telefonuar në Policinë e Kosovës, dhe ka deklaruar se ka vendosur një mjet shpërthyer në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Nga Policia kanë thënë se me të marrë informatën, njësitet kompetente kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku është bërë edhe evakuimi i qytetarëve.
Flora Ahmeti zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës, ka thënë për EO, se janë duke hetuar të gjitha rrethanat që lidhen me këtë rast, teksa ka shtuar se pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë.
“Rreth orës 08:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës. Informata është trajtuar nga ana e policisë”, ka thënë ajo.
“Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, ka thënë Ahmeti për EO.
Kujtojmë se një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe para pak ditësh në stacionin e autobusëve në Prishtinë, ku një qytetar ka telefonuar policinë dhe ka deklaruar se ka lënë një mjet shpërthyer në stacion.
Por ky ka rezultuar të jetë alarm i rrejshëm, pasi në stacionin e autobusëve policia nuk gjeti asnjë mjet shpërthyer.