Zelensky kërkon zgjidhje diplomatike, bisedon me presidentin Michel

| 13 Shk 2022 | 15:09 | Nga

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar zgjidhje diplomatike gjatë një bisede telefonike me Presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një bisede telefonike me Presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, ka diskutuar për situatën e fundit në Ukrainë dhe përshkallëzimin e saj.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka njoftuar se parësore në bisedimet mes dy palëve ishin sanksionet dhe kundërpërgjigja në çështjet e sigurisë.

“Jam i prekur nga bisedimet e fundit ndërkombëtare. Kemi angazhim të plotë në zgjidhjen diplomatike të konfliktit”, është shprehur ai.

Po ashtu, presidenti Zelensky e ka falënderuar Bashkimin Evropian në lidhje me çështjen e Ukrainës.

“Faleminderit BE-së për ndihmë makrofinanciare”, shtoi ai.

Ndërkaq, presidenti Michel, përmes një postimi në Twitter, ka shkruar se unioni është plotësisht në krahun e Ukrainës.

“Koordinimi me Kievin, si edhe solidariteti, janë në gradën më të lartë”, ka thënë ai.

Sipas tij, “BE-ja do t’i përgjigjet me unitet dhe vendosmëri çdo agresioni të mëtejshëm ushtarak rus”.

Megjithatë, situata mbetet kritike. Kjo për shkak të paralajmërimeve për një luftë të mundshme që mund të shpërthejë.

Një paralajmërim i tillë është bërë edhe nga vetë amerikanët, ku qytetarëve iu është bërë thirrje që të iknin nga vendi.

E njëjta thirrje është përsëritur edhe nga disa shtete perëndimore.

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, ka thënë se rreziku i veprimit ushtarak rus në Ukrainë është mjaft i lartë.

Të ngjashme